VIDEO | Fazliu dërgon Feronikelin në krye, kampionët pengojnë Prishtinën

Një gol i Astrit Fazliut në mesin e pjesës së dytë i ka dhuruar fitoren e radhës Feronikelit. Ish-sulmuesi i Partizanit shënoi me kokë në minutën e 66-të, duke vulosur triumfin përballë Drenicës në transfertë. Ekipi nga Drenasi është rikthyer të kryesojë i vetëm pas frenimit të Prishtinës në Gjilan.

Djemtë e Josës nuk arritën të përmbysnin dizavantazhin e pjesës së parë. Drita gjeti golin shumë shpejt me anë të Fidan Gërbeshit. 33-vjeçari u tregua i saktë nga pika e penalltisë dhe zhbllokoi shifrat.

Miqtë reaguan në pjesën e dytë. Kongolezi Makenda barazoi rezultatin në minutën e 56-të dhe ky ishte goli i fundit për këtë ndeshje. Ky barazim e mban Prishtinën në vendin e dytë me 69 pikë, dy më pak se Feronikeli kryesues.

Gara për titullin kampion do të jetë e ashpër deri në sekondat e fundit, ndërkohë që kanë mbetur edhe tre ndeshje deri në fund. Gjithçka mund të zgjidhet në javën e fundit. Feronikeli pret ekipin nga kryeqyteti me datë 25 maj dhe kjo mund të jetë finalja e madhe e kampionëve të rinj të futbollit dardan.

Drenica-Feronikeli 0-1
(Fazliu 66’)

Drita-Prishtina 1-1
(Gërbeshi 7’ / Malenda 56’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *