VIDEO | Eurogola dhe kryesim, Sllovakia “tërmet 5 ballësh” në Baku

Është mbyllur me fitoren e miqve ndeshja midis Azerbajxhanit dhe Sllovakisë, përballje e vlefshme për grupin E. Emocione në Baku, aty ku u shënuan gola shumë të bukur. Kjo fitore e ngjit Sllovakinë në vend të parë me 6 pikë, po aq sa ka edhe Hungaria e Kroacia.

Stanisllav Lobotka hapi serinë e golave në minutën e tetë. Mesfushori i Selta Vigos ndërmori një inkursion shumë të bukur dhe mposhti portierin vendas me një goditje të bukur nga jashtë zonës.

Miqtë dyfishuan në minutën e 27-të me anë të Jiraj Kuçkës. Mesfushori i Parmës qëndisi një perlë të vërtetë nga goditja e dënimit, duke shënuar një gol të mrekullueshëm.

Ishin minuta intensive, ndërsa vendasit shkurtuan rezultatin pas dy minutash. Shejdajev lëvizi bukur në zonë dhe lëshoi një predhë, duke rihapur shpresat e Azerbajxhanit. Megjithatë, spektakli sllovak nuk ishte mbyllur.

Marek Hamshik gjeti golin një minutë më vonë. Sërish goditje nga larg, sërish eurogol. Kapiteni sllovak mori një pasim nga Kuçka, shmangu bukur me trup mbrojtësin kundërshtar dhe me të majtën dërgoi topin në trekëndësh.

 

Sllovakët shënuan edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë. Hamshik gjeti përsëri rrugën e rrjetës me një goditje të saktë nga jashtë zone, ndërsa Hanko vulosi “manitën” pesë minuta përpara fundit.

Azerbajxhan-Sllovaki 1-5
(Shejdajev 29′ / Lobotka 8′, Kuçka 27′, Hamshik 30′, 57′, Hanko 85′)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *