VIDEO | E shtuna e çmendur e Evans, gol dhe mrekulli si… portier!

0

Futbolli është i paparashikueshëm, madje dhe atëherë kur je i bindur se ekipi yt e ka të sigurt fitoren. Loja më e bukur në botë dhuron herë pas herë ndeshje të pabesueshme dhe rezultate të tilla dhe kjo e bën atë sportin më emocionues në botë.

Kësaj radhe “e pabesueshmja” ka ndodhur… e ku tjetër përveçse në Angli. Emocionet e futbollit ishullor janë të forta dhe të veçanta. Gjatë ditës së djeshme është luajtur ndeshja Çesterfilld-Ebsflit për llogari të “National League”, ose më thjeshtë kategoria e pestë angleze.

Vendasit renditen në vendet e fundit, ndërsa miqtë kanë objektiva për t’u ngjitur një kategori më lart. Ebsflit zhvilloi një pjesë të parë perfekte, duke i mbyllur 45-minutat e para në avantazh të trefishtë.

U duk se kjo ndeshje nuk do të kishte më histori, por futbolli është i çuditshëm. Vendasit shënojnë një gol rreth mesit të pjesës së dytë, ndërsa gjejnë dhe golin e dytë 7 minuta përpara fundit të ndeshjes.

Çesterfilld nuk ka asgjë për të humbur dhe hidhet i gjithi në sulm për të gjetur golin e barazimit. Mrekullia ndodh dhe mbrojtësi Uill Evans barazon shifrat në minutën e pestë shtesë.

Lumturi e madhe te vendasit, por loja nuk kishte mbaruar. Në minutën e shtatë shtesë, portieri i Çesterfilld ndëshkohet me të kuqe dhe penallti për miqtë. Ndërrimet janë kryer, kështu që dikush duhet të futet në portë.

Heroi Evans vesh dorezat e portierit dhe pret penalltinë për t’u kthyer në superhero. 27-vjeçari pret goditjen e sulmuesit të Ebsflit, duke dërguar të pranishmit e “Proact stadium” në ekstazë. Emocione që t’i dhuron vetëm loja më e bukur në botë, që është shumë më tepër se kaq…

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.