VIDEO | E ngacmoi legjenda Toti, Bajerni nis sulmin për talentin italian

0

Bajern Mynih ka hedhur sytë nga Italia, më saktë nga Serie B. Klubi bavarez po ndjek me vëmendje një prej talenteve më premtues dhe negocion prej kohësh me agjentin e tij. Jo vetëm kaq, por gjiganti gjerman i ka dhënë “këshillat” e duhura lojtarit.

Flasim për Emanuel Vinjato, 18-vjeçarin e Kievos, i cili aktivizohet si mesfushor i avancuar, sulmues i dytë dhe sulmues i djathtë. Lojtari me baba italian dhe nënë braziliane cilësohet si një talent i pastër dhe lista e klubeve që e ndjekin është e gjatë.

Kontrata me klubin veronez përfundon verën e ardhshme dhe Vinjato nuk ka pranuar rinovimin. Pas këtij refuzimi qëndrojnë kampionët e Gjermanisë, të cilët mund ta blejnë me një çmim disa herë më të ulët, pasi atij i mbetet edhe një vit kontratë.

Përveç Bajernit për Vinjaton interesohen edhe Juventusi, Napoli, Sasuolo dhe Xhenoa. Gjatë këtij sezoni ai është aktivizuar në 10 ndeshje dhe ka shënuar një gol në Olimpico kundër Lacios së Strakoshës.

Vinjato mund të qëllojë një investim fantastik për të ardhmen. Disa nga cilësitë e tij më të mira janë shpejtësia, asistet dhe driblimi fantastik. Djaloshi ka dy pasaporta, por deri tani ka vendosur të përfaqësojë Italinë.

Debutimin në Serie A e ka bërë në moshën 16-vjeçare, në humbjen e Kievos 3-5 përballë Romës në majin e vitit 2017. Ndërsa po bënte nxehjen, aty pranë ishin edhe Françesko Toti dhe Raxha Naingolan.

Legjenda e Romës i afrohet dhe e pyet djaloshin se kush është, ndërsa Vinjato i përgjigjet: “Jam një djalë i Kievos, ditëlindja 2000”. Një përgjigje mes sikletit, pasi ndodhej përpara Françesko Totit. Ky i fundit buzëqesh dhe bën shaka me “ninxhën”, ndërsa i rikthehet Vinjatos. “Ngjan si 12 vjeç, dëshiron të marrësh dhjetë vite nga të miat?”, për t’i dhënë fund bisedës simpatike midis Totit, Naingolan dhe Vinjatos.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.