VIDEO | Dortmundi nuk njeh kundërshtarë, distanca me rivalët mbetet… 9 pikë!

Borusian e Dortmundit nuk e ndal askush. Verdhezinjtë e Favre fituan në shtëpi përballë Verder Bremenit me rezultatin 2-1 dhe arritën fitoren e gjashtë rresht në kampionat. Pako Alkaser dhe Marko Rojs ishin autorët e golave për ekipin kryesues të Bundesligës, ndërsa Maks Kruze shënoi golin e nderit për miqtë.

Kjo fitore e ngjit Dortmundin në kuotën e 39 pikëve, ndërsa nuk e kanë provuar akoma shijen e humbjes pas 15-të javëve. Diferenca me Gladbahun dhe Bajernin e Mynihut është 9 pikë, ndërsa miqtë mbeten në vendin e nëntë me 21 pikë. Milot Rashica ishte pjesë e formacionit të Verderit dhe lojtari i përfaqësueses së Kosovës, i cili i la vendin japonezit Osako në minutën e 73-të.

Vendasit e gjeten shumë shpejt golin e avantazhit, por Pako Alkaser ishte në pozicion të parregullt. Spanjolli nuk u ndal dhe shënoi me kokë në minutën e 20-të, duke përfituar nga një krosim i portugezit Guerreiro. Goli i 11-të në kampionat për 25-vjeçarin, i cili kryeson renditjen e golashënuesve më të mirë të Bundesligës me një gol më shumë se shoku i tij Rojs, Levandovski i Bajernit dhe Joviç i Ajntrahtit.

Furia verdhezi nuk u ndal dhe Rojs dyfishoi shifrat shtatë minuta më vonë. Kapiteni shfrytëzoi një pasim të Sanços dhe nga brenda zonës shënoi duke kaluar në festë të pranishmit në “Signal Iduna Park”.

Verderi nuk u dorëzua dhe reagoi me anë të kapitenit. Maks Kruze hapi takimin në minutën e 35-të, duke shënuar një gol fantastik. Aq për pjesën e parë, ndërsa e dyta nuk prodhoi më gola. Gëce gjeti rrjetën në minutat shtesë, por goli i tij u anulua. Në fund 2-1 për Dortmundin, që vazhdon të marshojë drejt titullit kampion.

Borusia Dortmund-Verder Bremen 2-1
(Alkaser 20’, Rojs 27’ / Kruze 35’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *