VIDEO | Dibala “shterpë”, Argjentina dominon dhe thyen Meksikën

Argjentina ka dominuar dhe fituar ndaj Meksikës me rezultatin e pastër 2-0. Sytë ishin nga Paolo Dibala, i cili luante në shtëpi dhe pritej gol. Gjithsesi sulmuesi i Juventusit nuk ia ka dalë dot të realizojë në portën e miqve. Meksika, nisur nga fakti që luante në transfertë, u mundua të ishte pragmatiste dhe qëndroi më së shumti në pritje.

Argjentinasi, edhe pse nuk shënoi, doli mes duartrokitjeve në minutën e 72-të të takimit. Gjithsesi ishte protagonist, pasi nga këmbët e sulmuesit shtatshkurtër erdhi asisti i golit të parë të takimit. Në fundin e pjesës së parë, Dibala krosoi nga një goditje dënimi dhe Mori me kokë e dërgoi topin në rrjetë.

Fillimi i takimit ishte i mirë për Meksikën, teksa goditi tranversën me Himenez dhe më pas në një moment tjetër portieri Markezin u bë shpëtimtar. Dibala provoi disa herë të shënonte, ndërkohë që në një rast shërbeu për Lautaro Martinez. Futbollisti i Interit me kokë u ndal nga portieri pak metra me portën.

Në të dytën Argjentina kërkoi golin e qetësisë dhe krijoi disa raste, por ishin vetë meksikanët që e dërguan topin në rrjetë. Një krosim i ulët nga e djathta u devijua nga Brizuela dhe vendasit e panë veten në avantazh të dyfishtë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *