VIDEO | Dëmtimet dhe Lorente nuk e ndalin, Totenhemi gjen një tjetër “Herri”…

Totenhemi ka arritur të marrë një fitore të çmendur në sfidën ndaj Fulhemit pasditen e sotme, teksa ka shënuar në minutën e 93-të me anë të Herri Uinks, duke përmbysur disavantazhin e pjesës së parë.

Pasditja nisi keq për ekipin e Poçetinos, të cilët vuanin shumë mungesa të rëndësishme, mjafton të përmendim, Herri Kejn të dëmtuar dhe Son, i cili është i impenjuar në Kupën e Azisë. Gjithashtu dhe Lukas Moura është dëmtuar së fundmi dhe nuk ishte i gatshëm.

Fulhemi mori avantazhin e sfidës në minutën e 17-të ku ishte Fernando Lorente, i cili shënoi në portën e tij në mënyrë të çuditshme. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin e vendasve, por sidoqoftë, Totenhemi nuk i humbi shpresat dhe në fraksionin e dytë erdhi me besim.

Vetëm gjashtë minuta nga nisja e gjysmës së dytë, ishte Kristian Eriksen, i cili dha një pasim perfekt për Dele Alin, që nuk zhgënjeu duke baraspeshuar gjithçka. Këmbëngulja e “gjelave” vijoi dhe rastet ishin të shumtë, por vetëm në sekondat e fundit arritën të zgjidhnin ndeshjen.

Nkudu me një krosim nga e majta gjeti mjaft mirë Herri Uinks, i cili me kokë shënoi golin e fitores, duke çmendur në festë ekipin e tij. Kështu, “gjelat” e Londrës shkojnë në kuotën e 51 pikëve, duke blinduar vendin e tretë me diferencë prej katër pikësh nga Çelsi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *