VIDEO | Curry e Durant udhëheqin kampionët, Boston bën detyrën

Ka nisur magjia e NBA. Dy ndeshjet e para janë luajtur në orët e para të ditës së sotme dhe Boston Celtics kanë triumfuar kundër Philadelphia 76ers, kurse Golden State Warrios kaluan me sukses Oklahoma City Thunder.

Kampionët në fuqi të NBA u udhëhoqën nga Stephen Curry, i cili arriti të realizonte 32 pikë për Warriors. Në lartësinë e duhur ishte edhe Kevin Durant, me 27 pikë, 6 asiste dhe 8 rebounde. Ndeshja nisi mirë për Golden State, që e mbylli periodën e parë me tetë pikë avantazh (31-23).

Oklahoma reagoi, por sërish kampionët ishin më lart dhe gjysma e parë e lojës u mbyll me rezultatin 57-47. Perioda e tretë foli për miqtë, që shënuan katër pikë më shumë se Golden State. Këta të fundit nuk lanë t’u ikte ndeshja nga duart, pasi në periodën e katërt shënuan më shumë pikë dhe gjithçka u mbyll 108-100.

Paul George ishte më i miri për Oklahoma, teksa shënoi 27 pikë. Dennis Schroder realizoi 21 pikë, kurse Steven Adams 17. Gjithsesi këto shifra nuk mjaftuan për të mundur Golden State Warriors.

BOSTON CELTICS – Fitore bindëse, me rezultatin 105-87. Jayson Tatum ishte ai që spikati mbi të tjerët, me 23 pikë dhe 9 rebounde. Por ishin disa lojtarë që shënuan pikë me shifra dyshe, duke bërë që Philadelphia 76ers të mposhtej.

Joel Embid (23 pikë, 10 rebounde) dhe Ben Simmons (19 pikë, 15 rebounde) bënë të pamundurën t ndihmonin ekipin e tyre, por pa sukses. Vetëm perioda e parë ishte e barabartë (21-21), pasi më pas Boston Celtics i mbylli të tjerat në avantazh, konkretisht duke triumfuar 26-21, 30-24 dhe 28-21.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *