VIDEO | CR7 dhe VAR-i nderojnë Juven, Kualjarela në ndjekje të… Batistutës

Juventusi ka hedhur pas krahëve barazimin me Atalantën dhe është rikthyer te fitorja. Bardhezinjtë e Alegrit fituan kundër Sampdorias në shtëpi me rezultatin 2-1, duke e mbyllur vitin me fitore dhe në vendin e parë me 53 pikë.

Kristiano Ronaldo ishte heroi i Juves me dygolëshin e shënuar, ndërsa Fabio Kualjarela barazoi shifrat përkohësisht. Sfida u zhbllokua shumë shpejt dhe Ronaldo kaloi tifozët në festë që në minutën e dytë. Portugezi mori një pasim të bukur nga Dibala, stopoi topin dhe lëshoi një diagonale të fortë, duke shënuar një gol klasik të tij.

Sampdoria nuk u dorëzua dhe barazoi ndeshjen në minutën e 33-të. Arbitri Valeri kërkoi ndihmën e VAR-it për të akorduar një penallti për miqtë, pas një prekje me dorë në zonën e bardhezinjve. 35-vjeçari nuk gaboi nga pika e penalltisë, duke shënuar golin e 12-të në kampionat.

Kualjarela po shijon një rini të dytë dhe, pasi barazoi David Trezege me nëntë ndeshje rresht që shënon, tashmë synon rekordin e një tjetër emri të madh si Gabriel Batistuta, i cili mban rekordin absolut me gola të shënuar në 11-të ndeshje rresht me Fiorentinën në sezonin 1994-1995.

Pjesa e parë nuk pati më gola, ndërsa Kristiano Ronaldo riktheu ekipin e tij në avantazh në minutën e 65-të. Kësaj radhe topi preku dorën e një mbrojtësi të Sampdorias dhe penallti për Juven. Portugezi u tregua i saktë, duke shënuar golin e fitores për vendasit dhe të 14-tin personal në kampionat.

Drithërima në fund për tifozët e Juves, pasi Sampdoria arriti të gjente barazimin me një gol shumë të bukur të Saponarës, por VAR-i vendosi përsëri dhe goli u anulua për pozicion jashtë loje. Me dygolëshin e sotëm, Ronaldo parakalon Piatekun e Xhenoas, duke dalë në krye të renditjes së golashënuesve të Serie A.

Juventus-Sampdoria 2-1
(Ronaldo 2′, 65′ (pen) / Kualjarela 33′ (pen))

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *