VIDEO | Çelsi “shtyp” Bërnlejn, Arsenalin e ndalin penalltitë

Janë mbyllur dy sfidat e para të ditës së sotme, të vlefshme për javën e dhjetë të Premier Ligës. Çelsi shkatërroi Bërnlejn 0-4, ndërkohë Arsenali nuk arriti të kalonte me sukses transfertën ndaj Kristal Palas, ku ndeshja u mbyll në barazim 2-2.

Blutë e Londrës morën një fitore mjaft të rëndësishmë në transfertë ndaj Bërnlejt, ku edhe pse kishin një mungesë me peshë si Eden Hazard, shkatërruan vendasit 0-4. Në pjesën e parë ishte Alvaro Morata, ai që i dha avantazhin bluve, i cili më në fund u rikthye të jetë protagonist. Pjesa e parë u mbyll me golin e minutës së 22-të.

Në fraksionin e dytë, të besuarit e Sarrit nuk u ndalën, teksa shënuan dhe tre herë të tjera me anë të Barklejt, Uillian dhe Loftus-Çik. Mesfushori anglez vijon formën e shkëlqyer, pasi dhe asistoi në golin e tretë për brazilianin Uillan, i cili mbylli të gjithë llogaritë e takimit. Gjithsesi, në minutën e 93-të ishte momenti i të riut Loftus-Çik, i cili shënoi golin e katërt të takimit. Çelsi ngjitet përkohësisht në vendin e dytë në kuotën e 24 pikëve dhe vijon të jetë i pathyeshëm këtë sezon.

Ndërkohë, Arsenali nga ana tjetër ngeci në transfertën ndaj Kristal Palas, në një barazim 2-2. Pjesa e parë e takimit ishte pak më e mirë për vendasit, të cilët në minutën e 45-të fituan të drejtën e një 11-metërshi dhe e shndërruan në gol. Ekipet shkuan drejt dhomave të zhveshjes me avantazhin e Kristal Palas.

Në pjesën e dytë, topçinjtë duket se erdhën me një fytyrë tjetër, ku brenda pesë minutave shënuan dy herë, duke përmbysur çdo gjë. Fillimisht ishte një perlë e Granit Xhakës, i cili shënoi nga goditja e dënimit. Më pas në minutën e 56-të ishte Aubamejang, i cili në zhvillimet e një goditje nga këndi shënoi golin e avantazhit për të besuarit e Unai Emeri.

Kristal Palas e shtoi presionin në fundin e takimit dhe u shpërblye në minutën e 83-të, ku gjyqtari Atkinson u dhuroi një tjetër 11-metërsh, i dyti për këtë takim. Milivojeviç përsëri u tregua i pagabueshëm dhe e dërgoi sfidën në barazpeshë. Arsenal mbetet në vendin e katërt në kuotën e 22 pikëve, ndërsa Kristal Palas në vendin e 14-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *