VIDEO | Çelsi likuidon Brajtonin, Arsenali “tronditet” nga Sauthemptoni

Kanë përfunduar dy nga tre sfidat e programuara për t’u luajtur sot, të vlefshme për javën e 17-të të Premier Ligë. Çelsi ka marrë një triumf mjaft të rëndësishëm në transfertën delikate të Brajtonit, ndërsa Arsenal është befasuar nga Sauthempton, teksa u mund me shifrat 3-2, në shtëpinë e këtyre të fundit.

Ekipi i Sarrit ka arritur një triumf tjetër, pas atij të një jave më parë ndaj Mançester Sitit, teksa ka marrë tre pikët në një transfertë të vështirë si ajo e Brajtonit, ku edhe pse e mbylli pjesën e parë në avantazh të dyfishtë, rrezikoi deri në fund të takimit për të marrë fitoren.

Ishte Pedro Rodrigez, i cili shënoi pas 17-të minutave lojë, duke çuar në avantazh Çelsin, ndërsa Eden Hazard arriti të dyfishonte në minutën e 33-të. Avantazhi i dyfishtë bëri që blutë e Londrës  të drejtoheshin në dhomat e zhveshjes të qetë, pasi pjesa e dytë mbetej vetëm të administrohej.

Gjithsesi, vendasit e Brajtoni, duket se erdhën më të motivuar në 45 minutat e dyta dhe në minutën e 66-të shkurtuan diferencën me anë të anësorit, Març. Brajton provoi deri në fund të merrte diçka nga takimi, por fati ishte në anën e ekipi të Sarrit, që mori tre pikë me mjaft vlera.

Nga ana tjetër, pasditja ishte e hidhur për Arsenalin e Unai Emeri, ku “topçinjtë” e Londrës morën një disfatë me shifrat 3-2, në fushën e Sauthemptonit. Dani Ings hapi serinë e golave në minutën e 20-të, por tetë minuta më vonë ishte Mkitarjan që iu përgjigj. Gjithsesi pjesa e parë u mbyll në avantazhin e vendasve, pasi ishte përsëri Ings që shënoi  në minutën e 44-të.

Fraksioni i dytë nisi më i vrullshëm për Arsenalin, ku vetëm tetë minuta pas fillimit të lojës, ishte përsëri armeni Mkitarjan, i cili vuri baraspeshën. “Topçinjtë” provuan deri në fund të merrnin fitoren, por u befasuan në minutën e 85-të nga një kundërsulm dhe Çarli Austin shënoi golin e fitores për “shenjtorët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *