VIDEO | Çelsi dhe Napoli pa mëshirë, Valencia triumf minimal

Janë mbyllur edhe tre takimet e fundit për ditën e sotme në Europa League, teksa Napoli dhe Çelsi kanë hedhur një hap të rëndësishëm për kalimin në çerekfinale. Gjithashtu, triumf edhe për Valencian, që mposhti 2-1 Krasnodarin.

Në “Stamford Bridge”, Mauricio Sarri kishte lënë në stol lojtarë si Hazard, Higuain apo Kante, duke i dhënë më shumë hapësirë, Barklejt, Pedros, apo Zhirus. Golin e parë të takimit e shënoi, anësori spanjoll, Pedro Rodrigez, i cili i dha avantazhin ekipit të tij në minutën e 17-të.

Pjesa e parë u mbyll me shifrat 1-0 në favor të zotëve të shtëpisë. Në fraksionin e dytë, kur kishin kaluar 65 minuta, Uillian shënoi nga goditja e dënimit një perlë të vërtetë, duke lënë pa asnjë shans portierin mik.

Në fundin e takimit, pati festë edhe për Hadson-Odoi, i cili edhe pse erdhi nga stoli, gjeti rrugën e golit në minutën e 90-të, duke mbyllur gjithçka në 3-0.

Në Itali, Napoli tregoi forcën përballë Salcburgut, duke i mposhtur këta të fundit me shifrat 3-0. Nisja ishte perfekte për ekipin e Ançelotit, ku pas dhjetë minutash, ishte Milik, i cili çoi në avantazh ekipin e tij.

Tetë minuta më vonë, ishte radha e mesfushorit Fabian Ruiz, i cili shënoi mjaft bukur pas një pasimi të Hose Kajehon. Kështu, 45 minutat e para u mbyllën me avantazhin e dyfishtë të napoletanëve.

Në fraksionin e dytë, pavarësisht përpjekjeve të miqve, të cilët patën disa raste, ishte përsëri Napoli, i cili shënoi. Këtë herë topin drejt rrjetës e shtyu në mënyrë të pafat Onguen, mbrojtësi i Salcburg, duke çuar shifrat në 3-0.

Nga ana tjetër në Spanjë, Valencia mori një fitore me shifrat 2-1 ndaj Krasnodarit, me ekipin rus, i cili ka shpresa për të kaluar më tej. Dy golave të Rodrigos në pjesën e parë, iu përgjigj suedezi Klaeson, i cili shkurtoi diferencën në minutën e 63-të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *