VIDEO | Betis trondit Milanin, Arsenali i pandalshëm

Milan vijon formën e keqe dhe duket se nuk e ka kaluar akoma disfatën e hidhur që pësoi në derbi fundjavën e kaluar. Humbje në shtëpi ndaj Real Betis, në një ndeshje ku kuqezinjtë bënë jashtëzakonisht shumë pak. Në pjesën e parë ishte Snarabia që shënoi për spanjollët pas një gabimi në mbrojtje të Reinas dhe Romanjolit. Pjesa e parë u mbyll me avantazhin 0-1 të miqve.

Në pjesën e dytë Gatuzo aktivizoi menjëherë Suson dhe Kutronen, por Betisi i tronditi përsëri “San Siron”. Lojtari i huazuar nga PSG, argjentinasi Xhovani Lo Selso shënoi një supergol në minutën e 54-t. Më pas Milani e shtoi ritmin akoma më shumë, por vetëm në minutën e 83-të arriti të gjente golin. Ishte Patrik Kutrone, i cili shënoi pasi u asistua nga Kastijeho, të cilit më parë shtylla i kishte mohuar golin.

Në minutat e fundit kuqezinjtë pretenduan dhe për një penallti, ku Samu Kastijeho u pengua në zonë nga ana e Bartra, por për gjyqtarin e sfidës ishte ndërhyrje e rregullt. Milan provoi deri në fund të evitonte humbjen, por pa rezultat. Kastijeho ndërkohë në minutën e katërt shtesë u ndëshkua me karton të kuq, pas një ndërhyrje mjaft të ashpër.

Arsenali i Unai Emeri duket i pandalshëm, teksa arrin fitoren e 11-të radhazi në të gjitha kompeticionet. Fitore minimale për “topçinjtë”, të cilëve i mjafton Dani Uellbek për të kaluar transfertën e Lisbonës. Një pjesë e parë që ishte disi më e mirë për Sporting, por në fraksionin e dytë ishte Arsenal, ai që mori frenat e lojës dhe arriti një fitore mjaft të rëndësishme.

Anderlehti nuk ka shkuar më larg se një barazim 2-2 në shtëpinë e tij me Fenerbahçen. Edhe pse belgët arritën që të shkonin në avantazhin e dy golave, turqit shënuan dy herë në 4 minuta duke vendosur ekuilibrin. Barazim është ndarë dhe sfida mes AEK Larnakas dhe Ludogoretsit, ku gjyqtar i këtij takimi ishte Enea Jorgji. “Bilbili” nga Elbasani akordoi një 11-metërsh për vendasit në pjesën e parë.

Dudëlazhni ka rezistuar vetëm 62 minuta ndaj Olimiakosit, që më pas ka shënuar dhe dy herë. Çekët e Slavia Pragës kanë triumfuar minimalisht në ndeshjen me Kopenhagenin, por ish-sulmuesi i Skënderbeut Peter Olainka e ka ndjekur ndeshjen nga stoli.

Karabaku i Ansi Agollit është mundur në shtëpi nga Vorskla Poltava e Ardin Dallkut. Ish-kapiteni kuqezi nuk ka qenë i grumbulluar për këtë sfidë, ndërsa mbrojtësi i Kosovës ishte në fushë për 90 minuta, duke u ndëshkuar dhe me karton të verdhë.

Lajpcig dhe Salsburg kanë fituar respektivisht në grupin e tyre me Sëlltikun dhe Rosenborgun. Zyrihu i Kolollit dhe Kryeziut ka mundu në një ndeshje spektakolare Leverkusenin me rezultatin 3-2, por duhet thënë se rezultati i përmbys në dy raste, me vendasit që kaluan të parën në avantazh, por panë gjermanët që të shënonin dy herë në pak sekonda. Gjithsesi, zviceranët mblodhën forcat dhe shënuan edhe dy herë, për t’i dhënë fitoren ekipit të tyre. Kololli është zëvendësuar në pjesën e dytë, pasi u ndëshkuam me të verdhë, ndërsa Kryeziu luajti për 90 minuta.

Dinamo e Zagrebit po ashtu ka fituar me përmbysje ndaj Tërnanës, me Amir Rrahmanin që ishte në fushë për 90 minuta. Edhe rusët e Zeniti kanë mundur në shtëpi francezët e Bordosë me përmbysje.

Milan-Real Betis 1-2
Shënues: Kutrone 83’ / Snarabia 30’, Lo Selso 54’
AEK Larnaka- Ludogorets 1-1
Shënues: Larena 25’ (pen.) / Lukoki 7’
Anderleht-Fenerbaçe 2-2
Shënues: Bakali 35’, 50’ / Frei 54’, Kaldirim 57’
Dudelanzh-Olimpiakos 0-2
Shënues: Torosidis 66’, Fortunis 81’
Kopenhagen-Slavia Pragë 0-1
Shënues: Matusek 46’
Karabak-Vorskla 0-1
Shënues: Kulac 48’
Lajpcig-Sëlltik 2-0
Shënues: Kuna 31’, Bruma 35’
Salcburg-Rosenborg 3-0
Shënues: Dabur 34’, Ulf 53’
Sporting-Arsenal 0-1
Shënues: Uellbek 77’
Tërnava-Dinamo Zagreb 1-2
Shënues: Gorbani 32’ / Gavranoviç 65’, Orsiç 77’
Zenit-Bordo 2-1
Shënues:  Dziuba 41’, Kuzjajev 85’ / Briand 26’
Zyrih-Bajer Leverkusen 3-2
Shënues: Markesano 44’, Domgjoni 59’, Odei 78’  / Belarabi 50’, 54’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *