VIDEO: Benzema i mrekullueshëm, Reali shpëton fytyrën në fund

Reali i Madridit ka mundur 3-2 Hueskën e vendit të fundit, në një ndeshje që duhej të ishte stërvitore, por u kthye në dramë, me golin vendimtar që u shënua në minutën e fundit të ndeshjes.

Ishte Karim Benzema ai që shpëtoi Realin nga një figurë e shëmtuar, duke siguruar një fitore morali, sepse loja ishte mjaft zhgënjyese për Los Blancos. Në një stadium me më pak se 50 mijë tifozë, tmerrësisht pak për kampionët e Europës, Zinedin Zidan u detyrua të hidhte në fushë shumë rezerva, përfshirë djalin e tij Luka, për shkak të mungesave.

Ndeshja nisi menjëherë me gol, ku ishin miqtë të cilët kaluan në avantazh pas vetëm tre minutash lojë. Pas një krosimi nga e djathta, ishte sulmuesi Kuço i cili me goditjen e tij nuk i dha asnjë mundësi portierit Luka Zidan.

Reali arriti të reagonte në minutën e 25-të, ku pas një këmbëngulje të Brahim Diaz e Benzema, ishte Isko ai i cili shtyu topin në rrjetë, për të vënë baraspeshën. Formë e shkëlqyer për Iskon, i ringjallur nga Zidan.

Pjesa e dytë nisi mirë për “Los Blancos”, të cilët kompletuan përmbysjen me atë të Dani Sebajos, i cili shfrytëzoi në maksimum një pasim me kokë të Karim Benzemasë. Francezi për herë të dytë në karrierë jep asist në 3 ndeshje rresht me Realin: për herë të parë e kishte bërë në 2013.

Gjithsesi, Hueska nuk e humbi besimin dhe tentoi të barazonte shifrat. Në minutën e 74-t miqtë shënuan golin e dytë, duke heshtur stadiumin. Eçeita ishte autor i golit, i cili shënoi në zhvillimet e një goditje standarte.

Në fund ndeshja u hap totalisht dhe Reali e kërkoi me dëshpërim golin, që doli në minutën e fundit, sepse Benzema shpiku një trajektore fantastike, duke shënuar golin e fitores, i 14-ti personal në Primera këtë sezon.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *