VIDEO: Benfika zbut Dragonjtë, triumf dhe parakalim në superderbi!

0

Benfika ka arritur atë që dukej e pamundur javë më parë, sepse tashmë ka marrë kreun e renditjes në kampionatin portugez, duke siguruar një fitore të bujshme 2-1 në Dragao ndaj rivalit të përjetshëm, Portos.

Një fitore e madhe, me përmbysje, në një ndeshje vendimtare ndoshta për titullin kampion, sepse Porto kryesonte dhe me një fitore arratisej sërish.

Kur Adrian shënoi për Porton në minutën e 18-të, u duk se sërish titulli do të merrte rrugën për në Porto, por Shqiponjat e Benfikës treguan se jo rastësisht i kanë fituar 8 ndeshjet e fundit në kampionat, duke siguruar edhe të nëntën me golat nga supertalenti Zhoao Feliks në minutën e 26-të dhe Rafa Silva në të 52-tën.

Më pas sulme pa fund nga Porto, me Benfikën që mbeti me 10 lojtarë prej minutës së 77-të, kur Gabriel humbi toruan dhe kreu një faull absurd në mesfushë. Megjithatë, asnjë gol, edhe për faktin se portieri grek Odiseas Vlahodhimos ishte spektakolar me pritjet e tij.

Dhjetë javë nga fundi i kampionatit, Benfika kalon +2 nga Porto dhe tashmë shpreson të fitojë titullin dhe Europa League, sepse është në formë të pabesueshme, sinjal i qartë se trajneri i emëruar në janar Bruno Lage ishte ai që i duhej një skuadre plot talente.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.