VIDEO | Atletiko në krye me Barcelonën, ditë historike për Grizman

Atletiko e Madridit ka arritur një fitore shumë të rëndësishme në transfertë. Ekipi i Simeones fitoi me rezultatin 2-3 përballë Vajadolidit, me ekipin e Ronaldos (presidenti i Vajadolidit) që vinte nga dy fitore rresht në kampionat. Ky trepikësh e ngjit Atletikon në krye të renditjes me 31 pikë, aq sa ka dhe Barcelona, që luan në nesër përballë Levantes.

Nikola Kaliniç zhbllokoi shifrat në minutën e 26-të. Kroati u tregua i saktë pas një pasimi të Grizman dhe kaloi ekipin në avantazh dhe regjistroi rrjetën e dytë në kampionat. Djemtë e Simeones nuk u ndalën dhe shënuan përsëri në minutën e fundit të pjesës së parë. Një goditje e Grizman u ndal nga dora e një mbrojtësi dhe arbitri akordoi penallti, pas shikimit të pamjeve në VAR. Francezi mori përsipër penalltinë dhe ia doli të dyfishonte shifrat.

Vendasit reaguan në pjesën e dytë dhe shkurtuan diferencën me anë të Kaleros në minutën e 57-të. Mbrojtësi kërceu më shumë se të gjithë pas një goditje këndi dhe rihapi shanset e Vajadolidit për të mos dalë pa pikë. Vendasit nuk u ndalën dhe barazuan rezultatin pas gjashtë minutash. Një tjetër goditje dënimi dhe pas një rrëmuje në zonë, topi përfundoi në këmbët e Saul, i cili shkaktoi autogol.

Megjithatë, ekipi “colchoneros” ai doli të kalonte përsëri në avantazh. Antuan Grizman shënoi dhjetë minuta përpara fundit të ndeshjes, pas një rrëmujë në zonën e Vajadolidit. Tre pikë fantastike për Atletikon, ndërsa kampioni i botës dhe ylli i ekipit u ngjit në kuotën e 6 golave në kampionat.

Grizman theu një rekord gjatë ndeshjes së sotme. Dygolëshi i sotëm e ngjit 27-vjeçarin në kuotën e 83 golave në kampionat me Atletikon, duke u bërë golashënuesi më i mirë i huaj në kampionat për ekipin kryeqytetas.

Vajadolid – Atletiko Madrid 2-3
(Kalero 57’, Saul (aut) 63’ / Kaliniç 26’, Grizman (pen) 45’, 80’)

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *