VIDEO | Atalanta “asist” Napolit, Juves nuk i mjafton Ronaldo dhe…Gjimshiti

Juventusi ndalet në transfertën e Atalantës në barazim 2-2 në një ndeshje spektakolare. Hero për bardhezinjtë, konfirmohet dhe një herë tjetër Kristiano Ronaldo, i cili erdhi nga stoli dhe i dhuroi ekipit të tij barazimin me golin e shënuar.

Ndeshja nisi menjëherë e vrullshme në Bergamo, ku brenda dy minutave, mbrojtësi i kombëtares sonë, Berat Gjimshiti, shënoi në portën e tij, duke lënë të shtangur Etrit Berishën dhe duke i dhënë avantazhin Juventusit. Ekipi i Alegrit, dukej në ditë të mirë, teksa goditi dhe traversën me Bentakur pak minuta pas golit.

Gjithsesi, Atalanta me kalimin e minutave u zgjua dhe në të 24-tën gjeti golin e barazimin me anë të Duvan Zapatës. Pjesa e parë u mbyll në baraspeshë, ndërsa në fraksionin e dytë ekipi i Gasperinit, erdhi më i vendosur dhe brenda 11 minutave shënoi golin e avantazhit.

I zakonshmi Duvan Zapata shënoi përsëri, duke përmbysur çdo gjë, teksa tre minuta përpara golit Rodrigo Bentakur u ndëshkua me kartonin e dytë të verdhë, duke lënë me një lojtar më pak ekipin  e tij. Në minutën e 65-të, Alegri vendosi të fuste në lojë Ronaldon dhe frytet e zëvendësimit u dhanë menjëherë.

Vetëm 13 minuta në fushë dhe ylli portugez shënon golin e 12-të në Serinë A. Gol mjaft i rëndësishëm, pasi pozitat e bardhezinjve, duke qenë me një lojtar më pak nuk ishin aspak të favorshme. Kështu, Ronaldo konfirmohet dhe një herë tjetër hero i bardhezinjve, duke i dhënë një pikë me vlera.

Ndërkohë, Simone Inzagi ka fituar derbin brenda familjes, teksa ka mundur vëllain e tij, Pipo Inzagin me rezultatin e pastër 0-2. Sfida u vendos nga golat e mbrojtësit Felipe në minutën e 30-të dhe veteranit Luliç në fundin e takimit në minutën e 90-të.

Fiorentina është surprizuar nga Parma në shtëpi, ku ka pësuar një disfatë 0-1, ndërsa Sampdoria e Kaljari kanë fituar në shtëpi, respektivisht ndaj Kievos e Xhenoas. Dorianët, bëjnë hapa të mëdhenj në renditje, ku lënë pas Milanin tashmë dhe ngjiten në vendin e pestë.

Atalanta 2-2 Juventus
Shënues: Zapata 24’, 56’ / Gjimshiti 2’(aut.), Ronaldo 78’

Bolonja 0-2 Lacio
Shënues: Felipe 30’, Luliç 90’

Kaljari 1-0 Xhenoa
Shënues: Farias 45+3’

Fiorentina 0-1 Parma
Shënues: Inglese 45+2

Sampdoria 2-0 Kievo
Shënues: Kualiarela 47’, Ramirez 59’

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *