Vetting për gjyqtarët e futbollit

0

Do ishte alogjike, deri në kufijtë e mrekullisë, që gjyqtarët e futbollit në Shqipëri te kishin një sjellje apo të rrethoheshin nga një klimë krejt tjetër në raport me sistemin e drejtësisë në përgjithësi, atij aparati drejtësie krejtësisht te amortizuar që pasi ka humbur gjithçka, befas përfundimisht në unison ka humbur dhe besimin. Në një vend ku forcat politike kane më shumë se 20 muaj që po përpiqen të realizojnë një revolucion në gjyqësor, është e pashmangshme që një gjë e tillë të mos kërkohet të imitohet dhe në futboll. Pavarësisht se fatura mund te jetë relativisht e papërfillshme me atë që ndodh në dyert e gjykatave, sistemi i arbitrimit ne futboll ka të njëjtat simptoma. Akuza për ryshfet, shpesh papërgjegjshmëri, presidentë dhe aktorë që sistematikisht në tryezat e tyre te tregojë deri në kufijtë e shakasë tentativat apo joshjet që i bëhen atyre që dikur quheshin ‘uniformat e zeza’. Përpjekja shumëvjeçare që këtë sistem ta menaxhojë një palë e tretë e pavarur dhe pa interes financiar, siç është Federata Shqiptare e Futbollit, ka dështuar. Kjo e fundit, pavarësisht dëshirës, nuk ja doli dot që gjyqtarët te mos kontestoheshin. Kontestimi ndaj arbitrit është një fenomen universal i pashmangshëm, një i tillë që e ka shoqëruar dhe do e shoqërojë gjithnjë futbollin, por kemi mbërritur në një pikë të rrezikshme, ku tanimë akuzohet hapur për korrupsion dhe ku dikush duhet të lëvizë që diçka të ndryshojë.

Sinjalin e parë të një ndryshimi që duhet bërë e ka dhënë vetë FSHF. E bezdisur sa më s’ka për akuzat pas çdo fundjave në raport me sjelljen e gjyqtarëve, në mënyrë jozyrtare vetë presidenti Duka kërkoi nga presidentët që të merrnin në dorë të paktën sistemin e gjyqtarëve. Në parim, kjo të ngjan logjike. Ata qe investojnë dhe janë të shqetësuar direkt që gara te ketë një mbarëvajtje pa probleme janë vetë presidentët. I keni dëgjuar sa shpesh thonë që duhet që verdiktet t’i japë fusha dhe jo tavolina? Për fat të keq, shumica e tyre kanë akuzuar njëri-tjetrin që më së shumti preukopohen se si fitoret të vijnë te sigurta nga tavolina, sepse fusha ku i dihet, mund të sjellë dhe të papritura. Ajo çfarë ka dalë nga kontrolli në këtë sistem që prej vitesh i ngjason piramidës është skuadra e gjyqtarëve. Presidentët po kuptojnë se në fund të epokës së arbitrave, të fituar janë vetëm këta të fundit. Gojët e liga thonë që gjyqtarët xhirojnë sa nga një tavolinë në tjetrën, marrin para lart e poshtë dhe në fund rezultatet në fushe kompensojnë njëra-tjetrën. Thonë madje që gjyqtarët janë federatë më vete. Për moral, në një vend ku gjyqtarët e gjykatave u heqin njerëzve pronën, është e kotë flasësh. Një penallti më pak a më shumë nuk do ta ndryshojë jetën në një vend ku njerëzit kanë halle më të mëdha se sa një ndeshje futbolli.

Zgjidhja është një dhe e vetme. Kodi i moralit kërkon burrëri, nga ajo që sheh shumë pak vërdallë, por që është e vetmja mënyrë që çdo të hënë të mos kemi më akuza të tilla. Kodi i besimit konsiston në ndërprerjen e burimeve financiare te palejueshme në drejtim të skuadrës së gjyqtarëve. Këtë duhet ta bëjnë të dhjetë presidentët në union: nëse qoftë dhe njëri prish paktin, gjjthçka ka mbaruar. Më pas teknikisht duhet ta zgjedhin vetë përzgjedhësin e gjyqtarëve dhe po vetë duhet të krijojnë një listë të re arbitrash, ku ata të cilet kanë përfituar nga tundimi i presidenteve të mbeten njëherë e mirë jashtë. Me një kod të ri besimi, me një përzgjedhës të ri dhe me një listë te re arbitrash, ndoshta te paktën nuk do ketë akuza për korrupsion. Gabimet kanë qenë dhe do jenë, por pas këtij vetingu askush nuk duhet të flasë më për gabime me dashje. E gjitha kjo mund të kërkojë kohë, por mbi të gjitha kërkon një fillim.

Gjergji Stefa

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image