Vetëtima “Kulibali” rihap Serinë A!

Pikërisht atëherë kur dukej sikur Juventusi po ruante barazimin dhe administronte 4 pikët e avantazhit, ka ardhur goli i Kulibali, me forcë, me dëshirë dhe me besim. Një goditje me kokë e cila ka tronditur dhe heshtur “Allianz Stadium”, aq sa në fund, festa e axurrëve ka qenë realisht sikur titulli u fitua sonte, edhe pse duhen edhe katër javë të tjera deri në fund.

Një sukses i merituar për djemtë e Sarrit, më të vendosur për të marrë 3 pikët dhe që sulmuan deri në fund, duke mos hequr dorë dhe dorëzuar. Një shpërblim për një ndeshje ku kanë treguar zemrën e tyre. Tashmë, diferenca është vetëm 1 pikë mes dy ekipeve, por kalendari i Juventusit është më i vështirë, me transfertën në “San Siro” ndaj Interit dhe sidomos ndaj Romës në “Olimpico”.

Ka qenë një ndeshje ku në pjesën e parë, Pjaniç goditi shtyllën, ndërsa Insinjes iu anullua një gol për pozicion të parregullt, ndërsa Hamsik për pak sa nuk shënoi. Në të dytën, bardhezinjtë vetëm kanë menduar të mbrohen, teksa kanë protestuar për një penallti ndaj Higuainit.

Por, Napoli i ka dhënë gaz dhe ka vënë në provë dy herë Bufon, me Zielinskin, sidomos, por edhe Kajehon. Në fund, goli i Kulibalit, që ka kërcyer më shumë nga të gjithë dhe ka devijuar në rrjetë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *