Vetëofrohet Prandeli: Dua të rikthehem në Serinë A

Çezare Prandeli kërkon të rikthehet në Serinë A. Trajneri mbahet mend për futbollin e bukur, por dhe faktin që ishte personi, i cili arriti të dërgojë Italinë në finalen e Europianit të vitit 2012 dhe Fiorentinën në çerek-finalet e Champions në vitin 2010. Dështim në Botërorin e Brazilit dhe më pas disa eksperienca negative me Gallatasarajin, Valencian dhe Al Nasrin. I lodhur nga eksperiencat jashtë, Prandeli dëshiron të rikthehet në shtëpi. Ai ndalet tek rivaliteti për kreun dhe jep mendimin e tij mbi rritjen e kombëtares italiane.

Rikthimi – “Më pëlqejnë sfidat, kam një zjarrmi brenda meje dhe nëse dikush më kontakton në Itali, jam gati për t’u rikthyer. Kam patur disa eksperienca jashtë, por boll më. Dëshiroj t’ia rinis nga Italia.”

Seria A – “Sivjet kampionati është interesant, sepse të gjithë duan t’i afrohen Juventusit. Milan, Inter, por edhe Roma kanë bërë një merkato shumë të mirë. Nuk e di se pse Inter nuk po funksionon, por duhet të pyesni Spaletin për diçka të tillë. Ekipi zhvilloi një pjesë të parë perfekte me Torinon, por është e pakuptueshme se pse ndryshuan në pjesën e dytë. Surpriza? Mendoj që do të jetë Fiorentina. Komplimente dhe për Spal. Janë një ekip i ekuilibruar dhe është diçka e bukur të shohësh një ekip province në vendet e para të tabelës.”

Ronaldo – “Ai është një kampion. Ronaldo është gjithmonë i përqendruar dhe një referencë e përditshme. Taktikisht mund të luajë kudo dhe mendoj që Alegri nuk do të ketë probleme në menaxhimin e portugezit. Lëvizjet dhe hapësirat e kthejnë në vdekjeprurës.”

Kombëtarja – “Jemi shumë konkurrues deri në moshën 20 vjeç. Kemi kualitet dhe lojtarë interesantë. Por, mbi moshën 20 vjeç kemi një boshllëk gjeneratash dhe nevojitet një harmoni e plotë midis Ligës dhe Federatës. Detyra e Mançinit është e komplikuar. Ekipet e mëdha kanë pak lojtarë të rinj dhe kjo është diçka e gabuar, sepse Italia ka nevojë t’iu japë eksperiencë lojtarëve të rinj.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *