“Vetëm unë besoja te Kualjarela, ai sapo ka nisur të luajë futboll!”

Fabio Kualjarela po përjeton një rini të dytë. 36-vjeçari i Sampdorias ka shënuar 16 gola në kampionat dhe sipër tij renditet vetëm një “mostër” si Kristiano Ronaldo me një gol më shumë.

Sulmuesi i klubit dorian gjeti golin në 11-të ndeshje rresht dhe barazoi rekordin e vendosur nga Gabriel Batistuta në sezonin 1994/1995. Roberto Mançini ka vendosur ta rikthejë sulmuesin në kombëtare, duke vlerësuar në maksimum paraqitjet, golat dhe formën e mrekullueshme.

Masimo Ferrero është i lumtur për një gjë të tillë, pavarësisht se tenton t’i japë merita dhe vetes. Presidenti karizmatik i Sampdorias i rikthehet episodit të ndodhur përpara 3 viteve, kur bleu sulmuesin nga Torino dhe batutat nuk mungojnë kurrë në deklaratat e tij.

Marrëveshja me Torinon ishte e komplikuar dhe pak persona besonin te Kualjarela. Mbaj mend që ishte dita e fundit e merkatos. Po udhëtoja me tren për në Romë, tratativa me Kairon (presidenti i Torinos) përparoi dhe m’u desh të braktisja trenin. Në fund të fundit kjo ishte një dhuratë e imja për Fabion, duke parë që në moshën 36-vjeçare është kthyer në kombëtare. Ju e keni mbushur lojtarin me komplimente, por e vërteta është që Ferrero ka më shumë merita se ai. Ka ndodhur e njëjta gjë si në kinema: kush fiton çmimin ‘Oscar’, merr duartrokitjet, ndërsa producenti që shpenzon paratë, asgjë… Kualjarela është më shumë se një lojtar në fund të karrierës, ai sapo ka nisur të luajë futboll…”, përfundon Masimo Ferrero.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *