“Vetëm ta shoh mamin dhe babin pasi të fitoj Serinë A”, Thomas Strakosha: Do t’i bëj flokët e verdha nëse ia dalim…

Nga Klaudio Ndreca

Thomas Strakosha do të vazhdojë ëndrrën e lënë në mes nga pandemia, për të kërkuar fitimin e titullit kampion të Serisë A me Lacion. Një trofe që mungon prej vitesh te kryeqytetasit, por tanimë janë më afër se kurrë, pasi renditen vetëm 1 pikë larg Juventusit.

Në një lidhje direkte për “Fan Zone”, gardiani shqiptar ka folur edhe mbi akuzat e ngritura nga një ish-lojtari italian, i cili u shpreh se Strakosha është pozitiv me Koronavirus, por u kalua si të ishte dëmtuar nga ana e klubit. Portieri i Lacios shprehet se çështja do të kalojë në gjyq dhe do të jetë avokati i tij që do të përmbyllë gjithçka. Nga ana tjetër nuk mungon edhe dëshira e madhe për të fituar titullin kampion, ku premton edhe lyerjen e flokëve.

“Nuk flitet për shëndetin e tjetrit pa ditur asgjë. Avokati im do të merret me çështjen për ta zgjidhur. Sa i përket kampionatit, ne po bëhemi gati për të fituar Serinë A dhe të realizojmë ëndrrën. Do bëjmë të pamundurën, por se çfarë do të ndodhë, nuk e dimë. Nuk jemi arrogantë dhe e dimë qartë se Juventusi ka më tepër avantazhe nga lojtarët që ka.

Ajo që dua unë të shikoj është mami dhe babai pasi të dal kampion i Serisë A. Jam i sigurt se do të jenë më të lumtur se mua. Do t’i bëj flokët e verdha po ia dola (qesh). Babi do ta shikojë ndonjë nga këto ndeshjet tani me helikopter”, e ka përfunduar me humor Strakosha. /Sport Ekspres/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *