Vetëm një histori motivuese e Starovës? Cungu po e vë në zbatim te Laçi

Laçi ka mposhtur ditën e sotme edhe ekipin e Kukësit, duke vazhduar kështu serinë e fitoreve dhe duke shkuar atje ku klubi synon çdo vit: “Kupat e Europës”.

Me sa duket fjalët e Starovës në fillim të kampionatit për titullin kampion ishin përtej asaj historie motivuese, që vetë trajneri do të justifikohej më pas, teksa shprehej: “Ky grup lojtarësh është për titull kampion”. Ndërkohë kur rezultatet nuk po vinin u shpreh: “Më tepër titulli kampion ishte një histori e imja për të motivuar futbollistët”.

Rezultatet e javëve të para dëshmonin të kundërtën, ndërsa tashmë këto fjalë duken mëse të prekshme. E thënë në teori nga Starova dhe e vënë në zbatim nga Cungu, Laçi po u tregon dhëmbët të gjithëve në Superiore dhe teorikisht është në lojë edhe për titullin kampion.

Cungu duket se ia ka gjetur sekretin kurbinasve, teksa në pesë javë me të në krye Laçi ka grumbulluar më shumë pikë se sa kishte marrë në 7 javët e para të Superiores dhe sigurisht më tepër gola në portat e kundërshtarëve. Gjithçka ka qenë aty, duke nisur nga lojtarët, aftësitë dhe mundësitë për të arritur lart, e vetmja gjë që mungonte ka qenë motivimi./Sport Ekspres/