Vështrimi i Shqipërisë edhe te Francë-Turqi, fantazia e shfrenuar dhe “bomba” në “Saint Denis”

Shqipëria ende nuk është e dalë matematikisht nga gara e Europianit 2020. Megjithatë ajo rrugë e vetme që ekziston vetëm në një letër dhe që nuk shihet dot nga askush, është thuajse inzeksitente. Kështu, Franca duhet të humbë tre ndeshjet e radhës, duke e nisur që sot me Turqinë, për të vazhduar me një fitore me avantazhin e katër golave në “Arenën Kombëtare” nga kuqezinjtë, në përballjen që do të kemi me “blutë”.

Pra edhe matematika thuajse nuk na e lejon këtë shpresë. Por situata e fundit e Turqisë dhe dënimi që pritet nga UEFA, ndërhyrja e madhe e politikës dhe situata e paprecedentë është për t’u marrë në konsideratë. Në mediat e njohura askush nuk ka folur për një dënim të saktë që pritet për turqit, por duhet të jetë një gjobë.

Megjithëse krahasimet që vijnë nga Europa nuk janë të duhurat, pasi kanë vendosur barazi mes shqiponjës së Xhakës me Shaqirin, së bashku me thirrjen dhe mbështetjen për luftë nga lojtarët turq. Kjo ndeshje që do të luhet ndaj Francës, do të vendosë shumë edhe për vijmësinë e Turqisë në Europian që e vendosi vetë në pikëpyetje pas asaj feste ndaj Shqipërisë, ku u përkrah hapur lufta.

Situata është e tillë, shumë tifozë të irrituar dhe personazhe publik po kërkojnë një dënim shembull për Turqinë që t’i vijë nga futbolli, pasi nga politika është e pamundur duke ditur fuqinë e atij shteti. Një prej figurave politike më të njohura në Francë, Jean-Christophe Lagarde ka bërë thirrje për braktisjen e ndeshjes, pasi sipas tij vetë Turqia e kaloi futbollin në politikë dhe po mbështesin vrasjen e aletëve të tyre, kurdët. Madje francezët kanë dërguar edhe një kërkesë në UEFA për anulimin e ndeshjes, por këta të fundit vetëm para pak minutash janë shprehur se organizimi duhet të bëhet me patjetër.

Sa i përket vendimit që do të vijë nga UEFA për festimin e bërë dhe mbështetjen e luftës nga ana e lojtarëve kundër Shqipërisë, vendimi do të vijë të enjten në datën 17 tetor. Nga ana tjetër, presidenti Erdogan dhe Macron nuk do të jenë në stadium për shkak të konfliktit në përballjen e sotme. Franca është hapur kundër luftës që ka nisur Turqia në Siri për të eliminuar kurdët, ndërsa Erdogan është i vendosur dhe nuk tërhiqet.

Në Francë ndërkohë janë bërë gati 1400 stjuardë, për 35000 tifozët turkë që gjenden jashtë stadiumit. Situata është shumë e tensionuar aqsa vendasin do të shtojnë volumin e himnit të tyre për të mbytur vërshëllimat e turqve. Në këtë situatë të tillë, Shqipëria ka më shumë shpresa te një fantazi e shfrenuar që mund të ndodhë në “Saint Denis” dhe një dënim shembullor për Turqinë për kalimin në politikë, sesa për të hyrë në Europian me llogaritë e pikëve. /Sport Ekspres/