Veseli: Titullar ose jo, jam gjithnjë gati

0

Frederik Veseli luajti titullar në Itali dhe bëri figurë të mirë, duke treguar se meriton besim, edhe pse i ri në moshë dhe i sulmuar pas humbjen në Europian ndaj Francës. Mbrojtësi i Empolit ka folur nga Durrësi, në konferencën e zakonshme për shtyp…

TITULLAR NË ITALI “Unë kam qenë gjithmonë në dispozicion dhe gati për të luajtur. Këtë e vërtetova kundër Italisë. Jam gjithmonë në dispozicion, në formscion apo jo, dhe nëse luaj, për mua është krenari shumë e madhe. Është edhe një bonus jo vetëm për mua, por besoj edhe për skuadrën. Normalisht, askush nga lojtarët nuk vjen në Kombëtare pa menduar se ka mundësi të luajë titullar. Unë e realizova ëndrrën time duke luajtur titullar për kombin tim në një ndeshje zyrtare. Unë kam vetëbesim, mendoj se kam cilësi të ndryshme nga lojtarët e tjerë dhe shpresoj e besoj se do jem një bonus për Kombëtaren”.

ITALIA “Si individualitete nuk më befasuan emrat si Imobile, Beloti, Kandreva, Insinje apo Verrati, por ata janë skuadër shumë e mirë. Për shumë vite unë kam luajtur edhe kundër futbollistëve shumë më të fortë se ata, prandaj nuk pata frikë. Ndoshta si skuadër janë shumë të fortë, por personalisht nuk pata kurrfarë frike. Besoj se as ekipi nuk e ndjeu, pasi ishim përgatitur mirë gjatë javës dhe e kishim kuptuar mirë qëllimin e trajnerit”.

TË MARTËN KUNDËR BOSNJES “Shpresoj të luaj, por vendos trajneri. Kam thënë përherë se jam në dispozicion të trajnerit, ai vendos. Unë vij për të ndihmuar ekipin, jam gati për çdo rast dhe i kënaqur, luaj ose jo”.

RAPORTI ME DE BIAZIN “Trajneri më njeh që kur isha te Mançester Siti dhe Junajtid. Edhe Tramexani më ka ndjekur dhe ata më njohin më mirë se gazetarët. Nuk isha aktivizuar me skuadrën e parë, por me rezervat isha gjithmonë aty. Tek Empoli unë luaj në krahun e djathtë, por pozicioni im natyral është në qendër të mbrojtjes. Mund të luaj edhe në të majtë apo si mesfushor mbrojtës dhe besoj se për trajnerin ky është një bonus. Jam në dispozicion të ekipit dhe jam i kënaqur që trajneri ma dha mundësinë dhe që e tregova veten”.

ROLI, SI I LORIK CANËS “E zëvendësova në një ndeshje, por ta zëvendësosh si statut është shumë e vështirë. Qëllimi im nuk është ta zëvendësoj Lorikun, por të bëj vendin, karrierën dhe statusin tim. T’i afrohesh statutit të kapitenit është diçka shumë e bukur. Ai ka arritur shumë për veten dhe Kombëtaren dhe është një legjendë e futbollit shqiptar. Me Lorikun kemi humbur një figurë të rëndësishme edhe për marrëdhëniet që krijonte mes lojtarëve nga Shqipëria dhe atyre nga Kosova. Unë e njoh Lorikun që kur isha gjashtë vjeç, pasi të dy jemi rritur në Lozanë. Pra, prej njëzet vjetësh e kam pasur si model për t’u ndjekur. Edhe pse nuk është më në skuadër, besoj se ka krijuar një rrugë të mirë për të gjithë lojtarët që janë jashtë. Na mungon pak, se Loriku është Loriku, por duhet të vazhdojmë të bëjmë punën tonë e të ecim përpara”.

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here