Veseli: Të përgatitemi për kualifikueset e Europianit, nuk e mendojmë rënien nga Liga

Frederik Veseli me shumë gjasa do të luajë si mbrojtës i djathtë në ndeshjen me Skocinë. Në mungesë të Hysajt për shkak kartonësh, mbrojtësi i Empolit pritet që të zërë vendin e tij në linjën e djathtë. Në konferencën për shtyp, Veseli theksoi se ai dhe skuadra nuk e mendojnë rënien nga Liga C. 25-vjeçari ka treguar se situata në skuadër është e mirë dhe besimi është i madh se ndaj Skocisë do të arrihet një rezultat pozitiv për të zënë vendin e  dytë.

“Jam gati dhe jam rikthyer nga dëmtimi prej 2 javësh. Kam punuar shumë dhe them se jam gati për këto ndeshje. Kemi disa mungesa dhe do të shohim. Do të jap më të mirën nëse do të jem në fushë. Them se e kam lënë pas krahëve dëmtimin”.

“I kemi pësuar disa gola që mund t’i evitonim. Janë disa gjëra pozitive dhe disa gjëra negative, që duhet t’i përmirësojmë. Të insistojmë te gjërat pozitive dhe të gjejmë rrugën drejt suksesit për këto dy ndeshje”.

“Kam luajtur shumë herë në të djathtë dhe nuk do të jetë problem për mua. Nëse më cakton trajneri aty, do të jap më të mirën. Duke qenë se jam pak më shumë difensiv, varet nga trajneri. Unë do të jap maksimumin gjithnjë”.

“Besoj se në mënyrë individuale them jemi në mënyrë të mirë, si ne lojtarët e mbrojtjes ashtu dhe në sulm. Gredza ka shënuar, Binaku, unë e Gjimshiti kemi luajtur. Uroj që ky moment pozitiv të na shtyjë para dhe të arrijmë një fitore ose një rezultat pozitiv në këto dy ndeshje”.

“Ne jemi entuziastë, pasi edhe jashtë fushe jemi shumë miq. Gëzojmë kur grumbullohemi, por ana profesionale është më e rëndësishmja. Në këtë moment meritojmë pak më shumë se vendin e tretë dhe do të bëjmë maksimumin për të pasur një mundësi më vonë në kualifikuese, por dhe të përgatitemi për ndeshjet e kualifikuese të Europianit. Jemi lojtarë me shumë dëshirë për të shkuar në Europian dhe secili mund ta ndihmojë njëri-tjetrin. Kemi dhe lojtarë të rinj që kanë kualitet dhe shpirti i grupit na mban bashkë e na çon para”.

“Duhet të shohim dhe lojën tonë, por duhet të studiojmë dhe kundërshtarin, por kjo është punë e trajnerit. Ne duhet të shohim punën tonë. Jemi të gjithë gati për të punuar sa më shumë dhe të jemi sa më seriozë, që ta kalojmë sa më mirë këtë ndeshje.

“Ne nuk kemi presion. Kemi mentalitetin për të dhënë më të mirën dhe të shkojmë në vendin e dytë. Nuk e kemi menduar se do të biem nga Liga C. Ne besojmë se do arrijmë vendin e dytë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *