Verrati i penduar: Jam i zhgënjyer me veten!

Marko Verrati është kryefjala e momentin në Paris. Mesfushori italian u arrestua mbrëmjen e së martës, pasi po drejtonte makinën në gjendje të dehur dhe mbi të gjitha sasia e alkolit ishte më shumë se dyfishi i asaj që është i lejuar nga autoritetet franceze.

Gjithsesi, klubi i Parisit me sa duket e ka falur Verratin, pasi mbrëmjen e kaluar mesfushori ishte titullar në fitoren e arritur ndaj Lilës. Lidhur me këtë çështje 25-vjeçari ka folur pas sfidës së mbrëmshme, ku është shfaqur i penduar për veprimin e bërë dhe ka kërkuar falje. Gjithashtu italiani ka folur dhe për sfidën e ardhshme që pret ekipin e tij, ku do të udhëtojnë në transfertë ndaj Napolit.

ÇËSHTJA E DITËVE TË FUNDIT – “Kalova disa ditë të vështira dhe kjo ishte e pritshme, pasi kisha bërë një gabim. Kërkova falje menjëherë ditën tjetër, sepse isha në dijeni që ajo që bëra ishte diçka e gabuar. Mendoj se jam akoma i ri dhe këto gabime ndodhin. Më vijnë në ndihmë, pasi mësoj më shumë për të ardhmen dhe më shërbejnë për t’u rritur. Doja të jepja akoma më shumë nga ajo që dhashë në ndeshjen ndaj Lilë. Shokët e skuadrës e pranuan faljen time, por unë jam i zhgënjyer me veten. Më duhet ta ruaj ashtu siç duhet imazhin e klubit dhe të tifozëve”.

NAPOLI – “Do të luajmë kundër një ekipi që kur luan brenda në shtëpi është jashtëzakonisht shumë i fortë. Janë një ekip i mirë organizuar dhe kjo gjë u vërtetua dhe në sfidën që fituan kundër Liverpulit. U përpoqëm të luanim më mirë në pjesën e parë, por nuk arritën të shpreheshim siç duhet. Pjesa e dytë ishte më e mirë dhe shpresoj që të shfaqim të njëjtin intensitet dhe të arrijmë një rezultat të mirë”, përfundoi fjalët e tij Verrati.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *