Verë rekord për transferimet e klubeve

Ka pasur gjithnjë një diskutim të madh në lidhje me largimet nga kampionati shqiptar. Shumica e tyre bëheshin në parametra zero. A është një futboll që nuk prodhon, apo klubet shqiptare nuk dinë të shesin? Me këtë pikëpyetje të thatë kalonin vitet njëra pas tjetrës dhe rrallëherë kryhej ndonjë transferim, edhe ai shumë larg nga atë që bëjnë klubet e rajonit, sidomos vendet sllave.

Këtë verë gjërat ndryshuan. Me siguri niveli i menaxhimit të klubeve ka pësuar transformim. Asnjëherë më parë nuk janë shitur kaq lojtarë me këto shifra. I pari që u largua ishte Ramadani. Nga Partizani te Velje për 200 mijë euro. Më pas lajmi i ditës ishte Tirana. Mervejl dhe Akuah u shitën përkatësisht te Getafe dhe LASK, 650 mijë euro në arkat e një klubi që asnjëherë më parë nuk kish arkëtuar shifra të tillë të çmendura nga transferimet e lojtarëve. Më pas Skënderbeu, që prej 18 muajsh e ka hapur rrugën e këtyre lëvizjeve. Më parë ishin Olajinka, Berisha dhe Zeka. Këtë verë ishte radha e Latifit. 1 milion euro për korçarët nga Akademia Pushkash në Hungari. Mes transferimeve VIP është dhe keqardhja që Hebaj u transferua nga Vllaznia me 0 lek. Hebaj është alarmi që në të ardhmen duhet të ketë sa më pak lëvizje të tilla, ndërsa 4 të tjerët, relativisht në një moshë të re, janë shembulli se si duhen transferuar lojtarët.

Rruga është hapur. Tani kampionati shqiptar vlen aq shumë, sa Kievo solli në huazim një sulmues, Ekuban, që më pas e shiti te Lids për 550 mijë euro. Gjithkush mund të tentojë në tregun e madh të futbollit. Paratë filluan të vijnë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *