Vera do të jetë e ngjeshur me futboll, UEFA i dedikon një muaj të gjithë vetëm Champions League-s

Futbolli ka mbetur pezull prej një muaji dhe pritet që lojtarët të zbresin sërish në fushë në qershor. Por vera duket se do jetë e rezervuar për emocionet e bukura që të fal sporti më i bukur në botë. Kampionatet mendohet të përfundojnë në qershor dhe korrik, duke luajtur nga dy ndeshje në javë. Për të mos i vënë më tepër ngarkesë në këmbët e futbollistëve përgjatë kësaj kohe, UEFA ka nisur të hartojë edhe një plan për Kupat Europiane, Champions League dhe Europa League.

Sipas asaj që raporton britanikja “Mirror”, në korridoret e qeverisë europiane të futbollit po shqyrtohet ideja e zhvillimit të këtyre kompeticioneve të rëndësishme për klube në muajin gusht. Gjithçka do të luhet në mënyrë të përshpejtuar, teksa në harkun kohor të vetëm 3 javëve në muajin gusht do të kemi edhe fituesin e këtij sezon. Për tifozët ndoshta nuk do të jetë aspak problem, pasi përpara i pret një verë e ngjeshur me futboll dhe me emocionet e skuadrave të tyre të zemrës. Por të vetmit që mund të mos u pëlqejë kjo ide janë vetë lojtarët, të cilët me shumë ngjasa nuk do të kenë aspak pushim këtë herë./Halit Delibashi-Sport Ekspres/