Vera absurde në merkato, tani Reali e paguan shtrenjtë

Reali i Madridit e mbylli sezonin e shkuar në mënyrë fenomenale: realizoi sezonin më të mirë në 50 vitet e fundit, fitoi Ligën dhe Champions League dhe triumfoi në Europë për të dytin vit rresht. Vera ishte mjaft e qetë dhe mendohej se e ardhmja do të ishte perfekte, pasi ekipi ishte i kompletuar dhe të rinjtë mund të ambientoheshin me shpejtësi, duke gjetur një ekip të suksesshëm për t’i mbështetur. Megjithatë, planet duket se nuk ishin bërë mirë, sepse disa lojtarë të rinj nuk luanin rregullisht dhe përdorej thuajse gjithnjë i njëjti grup lojtarësh. Ndërkaq, në verë u larguan lojtarë me peshë si Morata, Danilo, Hames, Mariano e Pepe. Nëse do të zëvendësoheshin, nuk do të ndihej fare largimi, por kampionët e Europës aty gabuan rëndë.

Situata është serioze dhe në El Clásico u prek fundi, duke përfshirë edhe fishkëllimat e tifozerisë. Këtë verë Reali afroi 5 lojtarë të rinj në moshë: Dani Sevajos, Marko Jorente, Borha Majoral, Hezus Vajeho dhe Teo Hernandez. Katër prej tyre nuk u grumbulluan fare për sfidën ndaj Barcelonës, ndërsa franko-spanjolli ishte në ekip, por nuk e preku fushën.

Për momentin Zinedin Zidan nuk po u jep besim atyre që duhej të ishin e ardhmja e skuadrës, ndërsa baza e skuadrës tashmë po ndien lodhjen. Barcelona është +14, ose +11 nëse Reali fiton një takim të prapambetur, gjithsesi distancë e frikshme. Kupa e Mbretit dhe sidomos Champions League janë synimet e mbetura, por vitin e ardhshëm sfidat me PSG-në janë të frikshme, duke parë si po paraqitet Reali. Zgjidhja e vetme duket rivlerësimi i të rinjve, të paktën në kampionat, për t’i ruajtur veteranët për Champions, por duke luajtur pak me zjarrin.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *