Veni, vidi, vici… RONALDO

0

 

Kishte fituar gjithçka në karrierën e tij me klube dhe individualisht, por i mungonte “qershia mbi tortë”, triumfi me kombëtaren. E bëri si një “normal” dhe jo lider, por pikërisht kjo është forca e një kampioni

Anton Cicani

Funçal, qyteza prej 112 mijë banorësh, kryeqendra e ishullit të pavarur të Madeirës, më i madhi në brigjet portugeze të gadishullit iberik… Shumë vite më parë, ky vend shërbente si port kryesor për tregtarët e mallrave dhe, sidomos, për ata që niseshin për të zbuluar botën dhe vendet e panjohura, si India dhe Amerika. Ishte e famshme sidomos sepse i vetmi port ku mund të gjeje sheqerin dhe verën, në të gjithë ishullin e Madeirës…

Një vend i mallkuar për Mbretin Carlo II të Austrisë, i cili u pre në paqe në prillin e vitit 1922, në një moshë të re (35-vjeç), por me fat për një djalosh të quajtur Kristiano Ronaldo dos Santos Aveiro… Sigurisht, sot e njohim të gjithë CR7, një markë e shpërndarë kudo në botë, por pëpara se të jetë një model, një figurë e rëndësishme e shoëbiz, reklamues i produkteve të ndryshme, duke firmosur kontrata miliardere, ai është një futbollist. Dhe çfarë futbollisti. Mëkati i vetëm, jo i tij, që luan në të njëjtën kohë me Lionel Mesin. Praktikisht, po flasim për dy futbollistët më të mirë të rruzullit, që e kanë kthyer këtë sport në një dialog, prej vitesh. Por, pa konkurrencë nuk ka garë dhe pa garë s’ka rivalitet dhe pa rivalitet s’ka motivim… “Kristiano Ronaldo është produkt i punës, Mesi i talentit”. Zlatan Ibrahimoviç, kohë më parë, do ta përkuzionte kështu këtë duel, që u kthye në një mankth të vërtetë si për njërin, ashtu edh për tjetrin. Një farë loje fëmijësh: kur shënonte njëri, duhet të përgjigjej tjetri dhe anasjelltas. Kur pushonte së shënuari njëri, i ndodhte çuditërisht edhe tjetrit. Por, këtu nuk jemi për të treguar për këtë rivalitet, por për historinë e një futbollisti të gatuar mes sakrificash dhe vuajtjesh, nga shtëpia e rrënuar në Funçal, te borxhet që e ëma merrte për t’ia dalë me ushqime e deri te pasioni i të voglit Kristiano, i cili topin e shihte si një… Perëndi. Dhe, në një vend ku besimi është më i rëndësishëm se çdo gjë tjetër, ia vlen të kapesh fort pas tij.

cr3
Femijeria e Ronaldos, mes topit dhe problemeve ekonomike te familjes

Ishte viti i largët 1985 kur në Funçal, Maria Dolores dos Santos dhe Hoze Dinis Aveiro i dhanë jetë një prej futbollistëve më të mirë të të gjitha kohërave. Një emër jo i gjetur sipas preferencës, por pikërisht besimit që përmendëm. Kristiano, si i krishterë. E nëse mendoni se Ronaldo ishte një tjetër emër i ardhur sepse i ati ishte tifoz me Ronaldo Luiz Nazario da Limën, jeni totalisht gabim, sepse në atë kohë, “Fenomeni” nuk ishte ende “Fenonem”… Ishte Ronald Regan frymëzimi dhe në nder të presidentit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës të asaj kohe, i ati vendosi ta thërriste Ronaldo, duke shtuar një “o” fundore. Sa e vështirë rritja e fëmijëve për familjen Aveiro, duke qenë se ishin katër. Kristiano, Hugo dhe dy motrat Elma dhe Katia.

Cr
Kristiano Ronaldo me fanellen e Nacional Madeira, skuadra e ishullit dhe ku nisi te tregonte vlerat e tij

”U shit” për dy uniforma futbolli…

I ati ishte magazinier te Andorinja, skuadër rajonale, ku Ronaldo i vogël nisi të shkelmonte një top në moshën 7-vjeç. Historia tregon (edhe pse mund të jetë një trillim) se që në atë kohë luante me djem pesë vjet më të mëdhenj që thuajse të gjithë pohonin të njëjtën gjë: nuk pasonte kurrë topin. Në vitin 1995 u transferua te Nasional, në këmbim të  vetëm dy uniformave të reja… Dy vjet më pas, në moshën 12 vjeç, kalon te Sporting Lisbona në këmbim të 12 mijë eurove, duke u bërë djaloshi më i paguar i vendit. Luan për pesë vjet me të rinjtë e skuadrës bardhejeshile dhe tregon shumë shpejt talentin e tij, edhe pse asnjë nuk kishte dyshimin më të vogël. Debutimi në ekip të parë gjatë ndeshjes ndaj Interit, e vlefshme për turin e tretë kualifikues të Champions League në 2002-2003. Në sezonin e tij të parë te Sporting Lisbona koleksionon 25 ndeshje në kampionat, nga të cilat 11 titullarë.

Ronaldo shpertheu perfundimisht te skuadra e Sporting Lisbones

Basti i Fergusonit dhe fjalët e Bestit

“Ejani ta shihni këtë, sepse është shumë i fortë, mister Ferguson”. Eshtë ky udhëzimi që një agjent merkatoje i jep trajnerit të Mançester Junajtidit, Aleks Ferguson, për Kristiano Ronaldon, që në atë kohë kishte përfunduar edhe në “shënjestrën” e Juventusit të “Triadës” së famshme, por refuzimi i Marselo Salasit për të shkuar te Sporting Lisbona i hapi rrugën transferimit të Kristianos te “Djajtë e Kuq”, duke u bërë portugezi i parë që vishte fanellën e kësaj skuadre të lavdishme. Një transferim që kushtoi vetëm 12,24 miliona stërlina, më 13 gusht 2003. Ronaldo u bë adoleshenti më i shtrenjtë i historisë së futbollit anglez. Kërkon të veshë fanellën me nr.28 si te Sporting Lisbona, për të shmangur presione dhe krahasime në rast se do të zgjidhte fanellën me nr.7, historikisht e dashur nga tifozët e Mançesterit, pasi në të kaluarën ishte mbajtur nga kampionë si Xhorxh Best, Brajan Robson, Erik Kantona dhe, deri një sezon përpara se Kristiano të shkelte në “Old Trafford”, nga Devid Bekam.

cr2

“Pasi mbërrita, trajneri (Aleks Ferguson), më kërkoi se cilin numër doja. i thashë menjëherë 28… Por, Ferguson më tha: “Jo, t’I do të mbash nr.7 dhe kjo fanellë e famshme u bë motivimi im më shumë”, do të rrëfente më vonë futbollisti portugez. Debuton me “Djajtë” më 16 gusht 2003, ndaj Boltonit, duke zbritur në fushë në minutën e 60-të në vend të Niki Bat. Shënon golin e tij të parë me goditje dënimi, në fitoren 3-0 ndaj Portsmuthit më 1 nëntor 2003… Pasi paguan një periudhë përshtatje në futbollin anglez, Ronaldo bëhet protagonist i një sezoni të shkëlqyer debutimi, duke koleksionuar 20 ndeshje në kampionat (40 në total) dhe duke shënuar golin e tij të parë në finalen e Kupës së Anglisë. Më 19 mars 2008 – me dopietën ndaj Boltonit – portugezi kalon Xhorxh Bestin, që në sezonin 1967-1968 kishte shënuar 33 gola mes kupave dhe kampionatit. Rekordi ishte i pathyer për plot 40 vjet. “Ka pasur shumë futbollistë të shënuar si “Xhorxh Best i ri”, por kjo është hera e parë që bëhet fjalë për kopliment karshi meje”… do të deklaronte Xhorxh Best, duke folur për Kristianon.

Më 8 qershor kontribon te fitimi i Champions League 2007-2008  nga ana e Junajtidit, duke realizuar golin e avantazhit 1-0 ndaj Çelsit. Ndeshja vendoset me penallti, duike i dhënë trofeun e parë “Djajve”, edhe pse Ronaldo gaboi nga pika e bardhë. Në fund të sezonit diplomohet golashënues me 31 gola në 34 ndeshje, ndërsa në Champions realizoi 8 gola në 11 ndeshje, duke udhëhequr Junajtidin te trofeu. Më 21 dhjetor vjen një tjetër trofe, fitimi i Kupës së Botës për klube FIFA…

 

Galaktiku dhe makina e perfeksionit

Më 11 qershor 2009, Mançester Junajtidi nxjerr edhe lajmërimin zyrtar që asnjë tifoz te “Djajtë” nuk e priste: pranohet oferta prej 80 milionë stërlinash (94 mln euro) nga ana e Real Madridit dhe autorizohet klubi që të trajtojë me lojtarin. Pas dy javësh, klubi madrilen lajmëron se zyrtarisht nënshkruan me lojtarin, që do të transferohet në Spanjë nga dat 1 korrik 2009. Për të, fiksohet klauzola më e lartë për prishje kontrate në historinë e futbollit: 1 miliardë euro. Prezantimi i tij është një shou i jashtëzakonshëm, më 6 korrik në “Santiago Bernabeu”, ku 80 000 tifozë e ndjekin. Pasi merr fanellën me nr.9, debuton në La Liga më 29 gusht 2009, Real-Deportivo 3-2 dhe shënon golin e parë me fanellën “galacticos” me penallti. E mbyll sezonin e parë me 33 gola në 35 ndeshje. Në vijim, pas lamtumirës së legjendës Raul, vendos të marrë fanellën me nr.7, fati i tij…

reakl
Prezantimi te Real Madridi, qe e bleu per shifren 94 mln euro

Më 20 prill 2011 Reali fiton – falë edhe golit të tij ndaj Barcelonës – Kupën e Mbretit. Eshtë i pari futbollist i Real Madridit që kalon, me 51 gola, rekordin prej 47 golash sezonalë, Ferenc Pushkashin e sezonit 1959-1960. E mbyll kampionatin me 40 gola dhe titullin si golashënues, Pichichi. Më 4 nëntor merr për të dytën herë në karrierë “Topin e Artë” ( hera e parë në 2008-n me Junajtidin). Ronaldo, me 40 gola dhe 80 pikë, ndjek Leo Mesin dhe Antonio Di Natalen. Më 2 maj 2012 fiton titullin e parë spanjoll me Real Madridin, në ndeshjen e fituar ndaj Atletik Bilbaos 3-0. Suksesi ndjek suksesin dhe më 29 gusht 2012 fiton Superkupën e Spanjës. Më 13 janar 2014 fiton “Topin e Artë” FIFA të dytë në karrierë, i pari “Top i Artë” FIFA për portugezin. Më 24 maj 2014, Real Madridi shkatërron 4-1 në finale Atletiko Madridin, duke fituar “La Decima”. Ronaldo siglon golin e katërt, duke u bërë futbollisti i dytë i historisë së futbollit që shënon dy gola në dy finale me skuadra të ndryshme (të parit i ndodhi mbrojtësit jugosllav Velibor Vasoviç). Sezoni i tij i gjashtë me fanellën e Real Madridit vjen me dopietë në Superkupën e Europës, që i jep mundësi ekipit madrilën të fitojë trofeun për të dytën herë në histori, falë rezultatit 2-0 ndaj Seviljes. Më 13 shtator, realizon golin e 14-të ndaj Atletiko Madridit, duke u bërë golashënuesi më i mirë në historinë e Derbit.

Më 12 janar 2015, falë 37,66% të votive në favor, fiton “Topin e Artë” të tretë personal në karrierë, i dyti radhazi që kur ka marrë emërtimin “Topi i Artë FIFA”.

Më 10 mars, autor i dy nga golave në humbjen 3-4 ndaj Shalkes në Champions, i japin mundësi që të kalojë Raul Gonzalez, me 78 gola, duke u bërë golashënuesi më i mirë i kompeticioneve UEFA për klube. Më 5 prill, në fitoren historike 9-1 ndaj Granadës, është autor i pesë golave (I shtati futbollist në historinë e Real Madridit që e arrin), diçka që s’e kishte bërë më parë në karrierë. Më 23 maj 2015 për të tretën herë në karrierë fiton çmimin “Pichichi”, pra si golashëuesi më i mirë i kampionatit spanjoll. Më 6 qershor 2015, me mbylljen e edicionit të 60-të të Champions, diplomohet, njësoj si Nejmar dhe Mesi me një total prej 10 golash, golashënuesi i kompeticionit për të katërtën herë në karrierë. Përgjatë sezonit 2015-2016 kalon dy rekorde të Raulit: bëhet golashënuesi më i mirë në historinë e Real Madridit, duke kaluar 229 golat e spanjollit galë pesë golave ndaj Espanjolit, dhe më pas, në absolut, duke prekur – një muaj më pas – kuotën e 324 golave në ndeshje zyrtare me madrilenët. Më 5 mars 2016 prek kuotën e 252 golave në La Liga, duke kaluar Telmo Zarran në vend të dytë në renditjen e golashënuesve të të gjitha kohërave në kampionatin spanjoll.

real

Më 28 maj 2016, pra këtë vit, realizon penalltinë e fundit që i jep mundësi Real Madridit të fitonte Champions e 11-të kundër “kushërinjve” të Atletikos (1-1 koha shtesë): për portugezin bëhet fjalë për suksesin e tretë në këtë kompeticion, i dyti në tre vjet me “blancos”. Ndërkaq, me 16 gola në 12 ndeshje në Champions, Roanldo fiton titullin e pestë si golashënues i kompeticionit në kontinent, duke barazuar Mesin. E mbyll sezonin me një tjetër rekord: i vetmi futbollist i historisë që ka shënuar më shumë se 50 gola zyrtare në gjashtë sezone rradhazi (sezoni i shkuar u mbyll me 36 ndeshje, 35 gola në kampionat, 12 ndeshje dhe 16 gola në Champions).

 

Nga lotët dhimbjes te ato të gëzimit

Sa larg duket finalja e vitit 2004 për Kristianon, që ishte vetëm 19-vjeç dhe lotët e mërzia në fytyrë e tij bënë xhiron e botës, kur në finalen e Europianit të organizuar pikërisht në Portugali, Greqia i mori trofeun përpara syve… Sot, Kristiano ka fituar edhe me kombëtaren, duke shfrytëzuar një tjetër mundësi të artë…

qaj1
Finalja e Euro 2004 e humbur ndaj Greqise ishte momenti me i trsihtuar ne karriere, teksa duket Skolari duke e ngushelluar

E të mendosh që kanë kaluar plot 13 vjet nga debutimi, kur ishte 18-vjeç dhe më 20 gusht 2003 debuton në miqësoren ndaj Kazakistanit. Por, le të kthehemi te ai Europian i mallkuar.Goli i parë vjen më 12 qershor 2004, në fazën e grupeve, pikërisht ndaj Shqipërisë. Në këtë Europian shënon dy gola dhe dhuron dy asiste në gjashtë ndeshje. Gjithmonë më 2004-n merr pjesë në Lojërat Olimpike të Athinës, me 3 ndeshje dhe 1 gol. Në 2006 merr pjesë në Botërorin e Gjermanisë. Kundër Iranit, më 17 qershor, vjen goli i parë në këtë turne, që i jep fitoren 2-0 ekipit. E mbyll Botërorin me 6 paraqitje dhe një gol. Më 6 shkurt 2007, në miqësoren e Londrës ndaj Brazilit, luan ndeshjen e parë si kapiten, 22-vjeç.

qaj
Lotet e Ronaldos pas humbjes se trofeut

Grumbullohet për Europianin 2008 në Austri dhe Zvicër, ku Portugalia eliminohet në çerekfinale ndaj Gjermanisë (3-2), ndërsa në 2010 merr pjesë në botërorin e Afrikës së Jugut, duke shënuar një gol në katër ndeshje. Gjatë Europianit 2012 arrin gjysmëfinalen, e humbur ndaj Spanjës me penallti. Më 2014 arrin dy triumfe statistikore: më 3 mars, në miqësoren ndaj Kamerunit, fituar 5-1, realizon dopietë që i jep mundësi të kalojë Pauletën dhe të bëhet golashënuesi më i mirë i të gjitha kohërave me Portugalinë (49 gola). Më 14 nëntor bëhet shënuesi më i mirë i historisë të kampionateve europiane, përfshirë kualifikueset, me 23 gola.  Të tilla triumfe u vendosën nga një pjesmarrje anonime në Botërorin 2014, ku Portugalia nuk shkoi më tej se faza e grupeve.

Ronal

Por, “qershia mbi tortë” është Europiani që sapo u mbyll. Pas një starti pa shkëlqim, ku u bë shkas edhe penalltia e gabuar, shënon dopietë ndaj Hungarisë, e vlefshme për kalimin e grupit si mes të tretave më të mira të kualifikuara. Jo vetëm kaq, por ka “gisht” edhe te goli i Kuarezmës në 1/8-tat ndaj Kroacisë, ndërsa realizon penalltinë e moralit dhe humorit, të parën, në llotarinë e 11-të metërshave me Poloninë në çerekfinale, pa harruar golin dhe asistin në fitoren 2-0 ndaj Uellsit në gjysmëfinale.

RonaldoNjë ndërhyrje e rëndë e Dimitri Paje e detyron të dorëzohet, edhe pse provoi deri në fund, duke shtrënguar dhëmbët dhe fashuar gjurin e djathtë. Edhe pse doli, Portugalia fitoi me gol të Ederit, të cilin Kristiano e gjeti në parashikimin që i bëri sulmuesit të Lilës, siç tha ai vetë… Kampion Europe dhe trofeu i parë me kombëtaren, pas një libri të shkruar me kapituj të jashtëzakonshëm dhe një dhome të mbushur me trofe individualë dhe klubesh. Ronaldo ka fituar gjithçka në karrierë tashmë, i mbetet një Botëror, por kushedi…

 

SHPËRNDAJE

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here


CAPTCHA Image
Reload Image