Venger: Ta nisim me këmbën e mbarë

Premier Liga do të startojë sezonin e ri sonte në mbrëmje me përballjen në “Emirates Stadium” mes Arsenalit dhe Lester Sitit. Një sezon i ri, ambicie të reja për trajnerin Venger, i cili përgatitet të nisë sezonin numër 21 në krye të klubit londinez. Dhe Venger është shprehur në konferencën për shtyp se shpreson në një start të mbarë të sezonit të ri. Por bosi i Arsenalit nuk ka dashur të flasë për objektiva sezonalë, pasi sipas tij duhet të kalojnë disa javë për të parë se çfarë po ndodh. “Është shumë e vështirë për të vendosur që tani objektiva të saktë se ku jemi dhe çfarë duam të arrijmë në fund. në këtë moment të sezonit mund të intervistoni 7-8 trajnerë në Premier dhe mund të merrni të njëjtën përgjigje, se ata dua titullin kampion, janë ambiciozë dhe kjo është diçka normale. Por ne nuk mund të nisim sezonin, duke menduar që tani për në maj. Për ne gjëja më e rëndësishme është ta nisim sezonin në mënyrën e duhur, duke fituar ndaj Lesterit. Duhet t’i marrim ndeshjet një e nga një dhe në fund të bëjmë llogaritë. Në këtë moment e kam shumë të vështirë të parashikoj se sa të fortë janë rivalët tanë, sepse disa prej tyre kanë shpenzuar shumë në merkato”- ka thënë Venger.

Tabu për Lesterin

Venger kërkon një nisje të mbarë të sezonit nga ekipi i tij, ndërsa tekniku i Lesterit, Kreig Shekspir kërkon të thyejë një tabu. Arsenali është kthyer në një makth për “Dhelprat”, që kanë fituar për herë të fundit përballë “Topçinjve” në kampionat në vitin 1983, 34 vjet më parë. Nëse i referohemi sfidave në Londër, Lesteri nuk fiton në fushën e Arsenalit që prej 44 vitesh!

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *