Vendimi/ Vetëm një vërejtje për presidentin Zeka: Ke ardhur të vendosësh lojën, shihemi nesër

Pasi kaloi në proçedurën disiplinore për kërcënimin e bërë ndaj arbitrit Genc Nuza në ndeshjen mes Dritës dhe Trepçës ’89, presidenti Abedin Zeka ka mësuar vendimin nga FFK-ja.

Gjithçka ka kaluar vetëm me një vërejtje për kreun e Trepçës ’89, i cili iu drejtua gjyqtarit Nuza në pushimin mes pjesëve me fjalët: “Ke ardhur të vendosësh lojën para se të përfundojë, do shihemi nesër”. Kjo erdhi si pasojë e vendimeve që ky i fundit kishte marrë gjatë takimit.

Ndërkohë Federata e Futbollit të Kosovës ka deklaruar vendimin e marrë për vërejtjen e fundit me njoftimin e mëposhtëm: “Abedin Zeka, kryetar i klubit të futbollit ‘Trepça 89’ nga Mitrovica, në procedurë të iniciuar disiplinore nga ana e Komisonit të Garave.

Motivi – Pas përfundimit të pjesës së parë të lojës, i drejtohet gjyqtarit kryesor në korridoret e dhomave të zhveshjes me fjalët: ‘Ke ardhur të vendosësh lojën para se të përfundojë, shihemi nesër’, në ndeshjen KF Drita – KF Trepça ’89, e zhvilluar në Gjilan. Bazuar në nenin 40, paragrafi 1, pika 1, i shqiptohet masa disiplinore vërejtje e fundit”./Sport Ekspres/