Vendimi që mund të degdisi dy ekipet historike të Shqipërisë, Elbasani dhe Dinamo rrezikojnë Kategorinë e Dytë

Nga Klaudio Ndreca

I gjithë futbolli shqiptar është me vështrimin nga Qeveria, atje ku pritet të merret edhe vendimi përfundimtar sa i përket kampionateve. Ende nuk dihet nëse do të kemi një vazhdim të tyre, apo do të mendohet një mbyllje si në Francë dhe Holandë.

Nëse ndodh si në këto raste, atëherë me bazë të rregullores së UEFA-s, kampionati do të merret për bazë sikur të jetë mbyllur në fushën e lojës. Pra do të kemi po ato vende që do të shpallen kampion, bien nga Kategoria dhe shkojnë në Europë.

Por le të shkojmë pak në Kategorinë e Parë, atje ku një vendim i tillë do të ishte me pasoja të mëdha. Kjo do të sillte edhe shuplakën e fundit për dy ekipe me histori në futbollin shqiptar. Këtu po flasim për Elbasanin, që lëngon prej vitesh për shkakun e menaxhimit të keq. Menaxheri Andi Matraxhiu është duke bërë një punë në këtë drejtim, për të ngritur zëri ndaj një padrejtësie, ndërsa skuadra po vuan dhe gjendet në vendin që nuk i takon.

Ndërsa nga ana tjetër kemi edhe Dinamon, që me ardhjen e projektit italian, u rrit edhe njëherë shpresa për të mbijetuar dhe për t’u rikthyer në elitë në të ardhmen. Por të gjitha këto ëndrra do të shuhen nëse Qeveria zyrtarizon mbylljen e kampionateve, atje ku automatikisht dy ekipet historike të futbollit shqiptar do të shkonin në Kategorinë e Dytë. /Sport Ekspres/