Vendimi në Spanjë e konfirmon, “djali i babait” e ka humbur derbin me Realin e Madridit

Në Spanjë ka ardhur vendimi sa i përket Alvaro Moratës, që u ndëshkua në ndeshjen e fundit ndaj Majorkës me karton të kuq. E gjitha kjo erdhi pasi sulmuesi spanjoll e humbi tërësisht toruan, sidomos në momentin kur lojtari kundërshtar i preku sedrën si “Djali i babait”.

Kjo pasi babai i Alvaro Moratës ka vendosur në pjesën më të madhe të karrierës së djalit të tij, me vendimet që do të ndiqeshin me përpikmëri nga lojtari që tashmë luan për Atletikon. Me kartonin e kuq të marrë, Morata nuk mund të luajë ndeshjen e radhës, që si për fatin e keq për të, do të jetë derbi me Realin e Madridit.

Atletiko i Madridit ka dërguar pamje të reja në Federatën Spanjolle të Futbollit për ta nxjerrë futbollistin e tyre si të pafajshëm, sepse e duan me ngulm për përballjen e radhës. Por vendimi i Komisionit do të ishte i prerë, se sulmuesi spanjoll e ka humbur mundësinë e të luajturit në derbi. Pezullimi erdhi për një ndeshje, ndërsa mundësia e vetme e Atletikos është që ta dërgojë vendimin për apelim. Megjithatë edhe aty ka shumë pak shanse që t’i jepet të drejtë ekipit që drejtohet nga Simeone. /Sport Ekspres/