Vëllezërit Gega flasin si trajnerë: Naftëtari duhet shpëtuar!

0

Vëllezërit binjakë Ardian dhe Sajmir Gega janë shumë të njohur në qytetin e Kuçovës dhe kanë një kontribut të çmuar dhe të gjatë për një periudhë kohore 12-vjeçare në skuadrën e Naftëtarit. Ata vazhdojnë sërish që të jenë aktiv në futbollin e luajtur, por dhe përfaqësuesit më në zë të familjes së njohur dhe dinastisë Gega në qytetin e Kuçovës.

Përpara këtij sezoni futbollistik, të dy vëllezërit binjakë, në kundërshtim me dëshirën e tyre por edhe të sportdashësve kuçovarë, janë detyruar që të largohen në mënyrë shumë të turpshme nga ana e trajnerit aktual Barjam Fraholli, që duke pasur mbështetjen e kryebashkiakut dhe presidentit Selfo Kapllani, ka ndërmarrë një projekt për të ribërë Naftëtarin me elementë të rinj dhe me perspektivë, rezultatet e së cilës e kanë “shpërblyer” Frahollin me vendin e fundit me një pikë në Kategorinë e Dytë.

Janë larguar 10 futbollistë vendas me eksperiencë, të cilët zgjodhën të luanin në skuadra të ndryshme, dhe më konkretisht binjakët Gega zgjodhën Ardiani Tomorin dhe Sajmiri Skraparin. Por futbolli i luajtur nuk i pengoi aspak vëllezërit binjakë që të ndiqnin kursin e organizuar së fundi në Fier nga ana e FSHF për zonën e Jugut.

“Jemi diplomuar si trajnerë me licencën UEFA B dhe një ditë, pasi të shkëputemi nga futbolli i luajtur, të synojmë me një ambicie të madhe profesionale që të rikthehemi shumë shpejt në skuadrën tonë të vendlindjes për t’i shërbyer Naftëtarit tonë të zemrës, dhe të pasurojmë me kontributin tonë traditën e njohur familjare, që i ka dhënë shumë Naftëtarit në breza të shumtë gjatë gjithë historisë së skuadrës sonë.

“Besojmë se me rikthimin tonë tek Naftëtari nuk do të gjejmë në drejtimin e klubit njerëz të paaftë që po mbajnë peng futbollin kuçovar, dhe që kanë dëbuar të gjithë futbollistët vendas për arsye krejt absurde që kanë prishur imazhin e futbollit kuçovar”, kanë përfunduar deklaratën e tyre të përbashkët vëllezërit binjakë Ardian dhe Sajmir Gega, që pasojnë në profesionin e trajnerit xhaxhain e tyre të njohur Gëzim Gega, që punon aktualisht trajner në Greqi në klubin e Kavallas.

Edi Spahiu

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.