Valverde: Penalltia na dëmtoi, por nuk kemi justifikime

I dëshpëruar dhe i irrituar nga dy pikët e lënë në fushën e Las Palmasit, trajneri i Barcelonës Ernesto Valverde u mundua të përqendrohej te sfida e ardhshme kundër Atletikos, me synimin për të ruajtur qetësinë dhe për të rikuperuar energjitë para finales të së dielës. Megjithatë, arbitrimi i ndeshjes së djeshme ishte temë diskutimi në konferencën për shtyp pas ndeshjes, nuk kishte si të ndodhte ndryshe.

“Një penallti e padukshme na dëmtoi rëndë, na futi dyshimet, edhe për faktin se na la një shije aspak të mirë dhe na tronditi”, tha Valverde, i cili u mundua të evitonte komentet për arbitrin, sepse nuk e kritikoi asnjëherë hapur: “Nuk dua të analizoj vendimet e tij. Fola me të, sepse pashë një prekje me dorë të topit jashtë zone, që vetëm ai nuk e pa”.

Në fakt, gjatë ndeshjes Valverde protestoi gjatë dhe për këtë shpjegoi: “Para pushimit shkova tek arbitri i katërt sepse ndodhi diçka mjaft e qartë për të gjithë dhe vetëm arbitrat nuk e panë. Ishte një prekje me dorë nga portieri i Las Palmasit që e panë edhe lojtarët e Las Palmasit dhe kujtuan se u ndal loja”. Gjithsesi, Valverde mundohet të mos gjejë justifikime: “Nuk duhet të përdorim si mburojë arbitrimin, pas barazimit kishim kohë plot, por u nxituam shumë dhe nuk shënuam dot. Duhej më shumë qetësi, gjatë gjithë ndeshjes, na mungoi qartësia në pasimin e fundit”.

Të dielën sfida me Atletikon: “Gjërat nuk kanë ndryshuar shumë, jemi të parët dhe Atletiko është në vendin e dytë. Është një ndeshje shumë e rëndësishme, por jo vendimtare”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *