Valverde: Ndeshja është vendimtare, Interi ka shpirt fitues

Barça mori një triumf me përmbysje në fundjavë në fushën e Vajekanos dhe tashmë është radha e transfertës së Milanos. Mbrëmjen e nesërme katalanasit luajnë ndaj Interit në “San Siro”, në sfidën e vlefshme për UEFA Champions League. Në kuadër të sfidës, tekniku i blaugranave, Ernesto Valverde ka folur për mediat, ku foli për rikthimin e Mesit, si dhe për kundërshtarin.

MESI – “Po presim ende përgjigje nga mjekët e klubit. Mund të luajë, por nuk jemi të sigurt. Ka dhënë shenja pozitive në stërvitje, por në qoftë se nuk do të jemi të sigurt, nuk do të rrezikojmë. Nuk mund të them diçka të sigurtë, pasi dhe duhet ta flas me Leon”.

KUNDËRSHTARI – “Besoj do të gjejmë një kundërshtar pak a shumë si në “Camp Nou”, ndoshta më agresiv dhe me qëllim për ta mbajtur më shumë topin në zotërim. Po bëjnë mjaft mirë dhe kanë bërë shumë fitore radhazi në Serinë A, kështu që na pret një ndeshje shumë e vështirë”.

NDESHJA – “Ne do të përpiqemi të jemi më agresivë dhe të luajmë në mënyrën që duam. Interi do të kërkojë të njëjtën gjë, kështu që duhet të jemi më këmbëngulës. Është një ndeshje e rëndësishme për të dy ekipet, pasi duam një rezultat të mirë secila nga ne për të kaluar më tej”.

PËRGATITJA  – “Mendojmë vetëm për të tashmen dhe ndeshja e nesërme është deçizive, pasi akoma nuk kemi siguruar asgjë për kalimin më tej. Gjërat po shkojnë mirë, megjithëse në ndeshjen e fundit në La Liga vuajtëm jo pak”.

NAINGOLAN – “E pash ndeshjen e fundit të tyre ndaj Xhenoas dhe kanë bërë një lojë mjaft të mirë, ashtu siç kanë bërë këto javët e fundit. Gjithsesi, ne jemi gati për nesër. Naingolan është një lojtar mjaft i mirë dhe vendimtar për Interin. E dimë që ka një shans që ai mund të luajë”.

SPALETI – “Çdo ekip ka mënyrën e tij se si e përgatit ndeshjen dhe ne kemi mënyrën tonë. Më pëlqen Spaleti si trajner, pasi Interi i tij është mjaft i guximshëm dhe beson tek ai. Ata bëjnë presing nga minuta e parë dhe deri në fund, të gjithë janë të përfshirë, marrin përgjegjësi dhe kanë një shpirt fitues. E kam parë shumë kohët e fundit këtë gjë dhe më pëlqen të shoh një ekip të tillë”, përfundoi fjalët e tij tekniku i Barçës.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *