Vajushi: Refuzova oferta nga jashtë për Shqipërinë, me Kukësin…

Ish-mesfushori i kombëtares, Armando Vajushi është një nga përforcimet më të bujshme në Superiore në merkaton e janarit. 27-vjeçari nënshkroi për Teutën, skuadër me të cilën do të aktivizohet deri në fund të sezonit. Vajushi ka dhënë një intervistë ekskluzive sot për “Telesport”, ku pranoi se ka refuzuar disa oferta nga jashtë për Teutën. Po ashtu, mesfushori pranoi se ka qenë në bisedime edhe me Kukësin, por u ndanë për arsye ekonomike. Mes të tjerash, Vajushi u shpreh:

AVENTURA ME TEUTËN – “Më mungonte shumë Shqipëria dhe mezi pres të luaj. Vij me një dëshirë të jashtëzakonshme dhe uroj që të realizojmë objektivat. Kam folur me trajnerin Shkëmbi dhe falënderoj presidentin e Teutës. Janë shkruar shumë të pavërteta mbi kalimin tim në Rumani. Më vjen keq për këtë gjë. Jam stërvitur rregullisht gjatë kësaj kohe dhe dua të jap më të mirën.

OFERTAT – “Refuzova oferta nga Qipro, Izraeli dhe Turqia, sepse më mirë në atdheun tim me më pak pretendime se sa jashtë. Do të shpërblej besimin e Teutës karshi meje”.

KUKËSI – “Po, Kukësi më ka kërkuar vazhdimisht gjatë kësaj periudhe. Kam pasur biseda me presidentin Gjici, por në fund nuk ramë dakord për pjesën ekonomike. Trajnerin Cungu e njoh dhe ai më njeh. Nuk ishte asnjë problem teknik, thjesht ekonomik. Teuta më deshi më shumë dhe u ulëm në tavolinë e biseduam. U deshën vetëm pak minuta që të gjenim akordin”,- u shpreh mesfushori 27-vjeçar.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *