Vajushi: Dita më e lumtur për mua, por sa kam vuajtur

Mesfushori i Avelinos mungonte në ndeshje zyrtare që prej grumbullimit në eliminatoret Francë 2016. Prania e fundit në stol, në Beograd, ndaj Serbisë (2014): “Sa e kam pritur këtë moment”

Gjuri i mallkuar… Nëse ka një peng të madh në karrierën e tij, sigurisht, është ky problem serioz që ka shoqëruar vitet e fundit të Armado Vajushit, talent i jashtëzakonshëm, por i pafat sa i përket aspektit fizik. Katër vjet pas thirrjes së fundit, atë në eliminatoret e Europianit 2016, në Beograd, ndaj Serbisë, shkodrani kthehet të vishet kuqezi dhe bashkohet me trajnerin që i dha shumë besim te Livorno, Kristian Panuçi. Pikërisht zgjedhja e Panuçit në kombëtare, si post De Biazi, me të cilin Vajushi nuk kishte një raport të mirë, sidomos pas disa fërkimesh, lumturoi shumë Vajushin, që megjithatë arriti që të linte pas kalvarin e gjatë të dëmtimeve. Jo vetëm kaq, por Vajushi, në një vit e gjysmë, ka ndërruar tre skuadra dhe më në fund, te Avelino po tregon vlerat e tij, aq sa është bërë i dashur edhe për tifozerinë. Pikërisht Armando, i kontaktuar nga “Sport Ekspres” është shprehur tepër i lumtur dhe në në intervistë të shkurtër, ka folur për këtë thirrje…

Armando, më në fund, sërish në Kombëtare. Sa e prisje këtë moment?

Shumë, jashtëzakonisht. Vërtet që për mua është një nga ditët më të lumtura dhe gjithmonë ka qenë objektivi: të rikthehem me fanellën kuqezi, që është krenari. E prisja që të vinte një thirrje, sidomos nga trajneri që më ka dhënë besim dhe që më njeh mjaft mirë, Kristian Panuçi.

Ke biseduar me të?

Po, kam pasur mundësi të bisedoj. Ai ka ndjekur ndeshjet e mia dhe jam i kënaqur që më ka dhënë mundësi sërish të tregoj vlerat.

Ke kaluar shumë dëmtime, ke ndërruar shumë skuadra, tani duket se po rishitet Vajushi i vërtetë?

Sigurisht, nuk ishte aspak e lehtë. Përkundrazi, kam luftuar jashtëzakonisht shumë, duke mos hequr dorë dhe besuar. Duhet të falënderoj edhe personat që më kanë qëndruar pranë dhe më kanë bërë të kuptoj se sa dashuri mund të më falnin, duke më dhënë opitmizëm dhe besim se do të kthehesha në nivelet e mia. Te Avelino, sakaq, gjeta ambientin e duhur, por sidomos besimin që më mungonte si futbollist.

Gjen një kombëtare totalisht ndryshe nga ajo që pate lënë vite më parë. Emra të rinj dhe disa të vjetër…

Ka një revolucion, sigurisht. Por, besoj se grupi është i përbërë nga lojtarë cilësorë dhe me Panuçin shpresojmë të shkruajmë faqe të rëndësishme.

Trajneri ka thënë që në fillim se pëlqen lojën sulmuese. Ti e ke pasur te Livorno. Na thuaj ndonjë sekret të tij?

Vërtet që është trajner që pëlqen të luhet në sulm dhe sidomos me krahët. Ky ndoshta është edhe avantazhi im i madh, pasi në krah është loja që parapëlqej të bëj. Do të përpiqem të tregoj vlerat edhe te Shqipëria.

Europiani 2016 ishte qershia mbi tortë, historia kuqezi. Mendon se keni ende shanse ta përsërisni?

Pse jo! Nëse e arritëm njëherë, tani është mëse e mundur.

Ndërkohë, Vllaznia rrezikon të bjerë për të parën herë nga kategoria. Si shkodran që je, sa të dhemb kjo gjë?

Shumë. Më vjen të qaj ndonjëherë. Si u katandis kështu ky klub i madh, historik. Uroj me zemër që të mos ndodhë kjo ditë e zezë, sidomos për sportdashësit shkodranë, që jetojnë me futbollin dhe pasionin për të.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *