Uzuni “show”, Tiranës i bëhet Kupa “malore”

0

Tirana dhe Apolonia janë ndarë në barazim 2-2 në ndeshjen e parë çerekfinale të Kupës së Shqipërisë. Një rezultat që lë të hapur çështjen e kualifikimit për ndeshjen e dytë që do të luhet në Fier. E “transferuar” këtë herë në Krujë dhe pa tifozë në stadium, dje bardheblutë e panë vetën në disavantazhin e dy golave që në pjesën e parë, ndërsa për fierakët shkëlqeu Myrto Uzuni, ndërsa Andi Ribaj realizoi golin e parë me Apoloninë në këtë rikthim të sulmuesit te bardhjeshilët. Reagim i kryeqytetasve erdhi në pjesën e dytë, ku futja në lojë e Ndikumanës dhe Elis Bakajt i dhanë një impuls tjetër lojës së Tiranës, por edhe mundësinë për të shkuar në ndeshjen e dytë, të paktën me një barazim, duke shmangur humbjen dhe komplikimin e situatës.

Myrto Uzuni ishte pa diskutim lojtari më i mirë në fushën e lojës, për të dyja skuadrat. Talenti beratas dha pasimin për gol të Ribajt në minutën e 30-të, ndërsa 15 minuta më pas realizoi në portën e Tiranës. Një gol ky që ishte i pari për 19-vjeçarin e Apolonisë, skuadrën e tij të re, në të cilën u transferua gjatë kësaj merkatoje dimri nga skuadra e Tomorit. Uzuni shihet si një nga futbollistët më premtues të futbollit shqiptar, jo vetëm për aftësitë që po shfaq me fanellën e skuadrës fierake, por edhe për moshën e tij të re.

PJESA E PARË– Nis me një Apoloni më kërkuese që në start dhe që ushtron presing në çdo cep të fushës, ndërsa Tirana shfaqet e “dehur” nga tre sukseset e mëparshme ndaj fierakëve, duke nënvlerësuar jo pak kundërshtarët. Përgjumja e bardhebluve iu jep terren të besuarve të trajnerit Mërgjyshi që besojnë më shumë në vetvete, ndërsa nuk ngurrojnë të marrin iniciativën drejt portës kundërshtare. Një rast i Bushiçit që në fillim të ndeshjes është i vetmi që regjistrohet për Tiranën në pjesën e parë, e cila flet e gjitha për Apoloninë. Dimo, Gërço, Uzuni dhe Idrizaj janë të papërmbajtshëm duke zhvilluar një ndeshje gati perfekte. Pas disa tentativash pa shumë rrezik, në minutën e 30-të vjen dhe goli i parë për bardhjeshilët. Uzuni shfaqet i vetëm në zonë dhe pason me qetësi për Ribajn, i cili me të djathtën mposht portierin Edvan Bakaj. 0-1 për Apoloninë dhe Tirana nuk i beson syve. Magani largon nga fusha Hyshmerin për Ndikumanën, por sërish janë fierakët që tregohen të rrezikshëm. Goli i shënuar iu jep më shumë zemër bardhjeshilëve që regjistrojnë raste të njëpasnjëshme në portën e kryeqytetasve. Përpjekjet e miqve do të konkretizoheshin në minutën e 45-të, kur Uzuni shënon golin e parë me fanellën e Apolonisë. Talenti nga Berati lëshon një “perlë” nga jashtë zonës, duke mposhtur portierin Bakaj dhe duke dyfishuar shifrat për të tijtë. Tirana duket se shokuar, por ka ende edhe një pjesë tjetër loje.

PJESA E DYTË– Magani hedh në fushën e lojës Elis Bakajn dhe Renaldo Kalarin, respektivisht për Kërçikun dhe Malajn. Është pikërisht fantazisti i bardhebluve që tenton nga goditja e dënimit, por Miço grushton gjuajtjen e kundërshtarit. Tirana e fraksionit të dytë duket krejt ndryshe nga ajo e 45 minutave të para, pasi tashmë kërkon golin me aksione më logjike. Një gjë të tillë e realizon Mario Morina në minutën e 49-të pas asisit të Ndikumanës. 1-2 dhe kryeqytetasit nxitojnë të përmirësojnë imazhin e dëmtuar gjatë pjesës së parë dhe disavantazhin, tashmë të vetëm një goli. Elis Bakaj i jep një impuls tjetër lojës së Tiranës, duke qenë iniciator i të gjitha aksioneve të rrezikshme për skuadrën e tij. Megjithatë, edhe Apolonia nuk qëndron duarkryq, pasi kërkon të thellojë rezultatin, por pa sukses, madje një gjë e tillë e dëmton në minutën e 66-të. Top i rikuperuar nga Morina që pason për Bushiçin në zonë, ndërsa kroati fton Karabecin, i cili me të majtën e dërgon topin në rrjetë. Barazim në Krujë, ndërsa Tirana tashmë kërkon edhe ta fitojë këtë sfidë, një mision që në pjesën e parë dukej i pamundur. Megjithatë, përpjekjet e bardhebluve nuk do të konkretizoheshin me sukses, kjo pasi edhe Apolonia nuk “fluturon” më nga entuziazmi në fushë dhe mbrohen mjaft mirë. Minutat e mbetura nuk do të sillnin ndryshim të rezultatit, ndërsa barazimi 2-2 duket në favor të fierakëve, të cilët në fushën e tyre, në ndeshjen e kthimit do të bëjnë të pamundurën për të mos humbur. “Topi” është në mesfushën e Tiranës, ndërsa kualifikimi për në gjysmëfinalen e Kupës mbetet çështje e hapur.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.