Uzuni nën vëzhgim, e duan në Turqi

0

Sulmuesi i talentuar i Laçit ka shkëlqyer këtë sezon dhe është gati prë hapin e madh. Nesër e vëzhgojnë , një arsye e madhe për të bërë figurë të mirë kundër Kukësit

Kohë merkatoje në Superiore dhe duket se tani e tutje menaxherët e huaj do të vërshojnë për të vëzhguar ndonjë talent, aq më shumë që çmimet e lojtarëve në Shqipëri janë shumë të ulëta. Për ne është rekord nëse arrijmë te shifra 1 milion euro kur shesim ndonjë lojtar dhe këto shifra i përkasin vetëm Skënderbeut, klubet e tjerë duhet ta ulin shumë shënjestrën, sepse të jemi realistë, nuk kemi ndonjë kampionat që prodhon fenomenë, për fajin tonë. E duam futbollin, por nuk bëjmë asgjë për të, qoftë në infrastrukturë, qoftë në punën me të rinjtë, qoftë në imazh, sepse ky kampionat ka aq shumë helm e akuza, saqë tifozët e thjeshtë tashmë e kanë ndarë mendjen: këtu çdo gjë blihet e shitet! Megjithatë, për të huajt Superiorja është një treg gjithmonë e më intrigues, sepse me shifra modeste mund të zbulosh ndonjë xhevahir. Dje Kristal Abazaj firmosi tek Anderlehti dhe për Superioren është një goditje shumë e madhe, në çdo drejtim, sepse bëhet fjalë për një futbollist të rritur në Shqipëri, jo të ardhur nga Kosova apo vende të tjera. Tani e kanë radhën talente të tjerë të provohen jashtë, duke nisur nga Sindrit Guri e Dejvi Bregu, por një lojtar që ka shkëlqyer këtë sezon në Superiore dhe që nuk bie shumë në sy është Myrto Uzuni.

SEZONI “SUPERIOR” – Është 22 vjeç, një karrierë e ndarë mes Tomorit dhe Apolonisë, por asnjë klub i rëndësishëm nuk u bind ta blinte, duke qenë se Apolonia kishte kontratë afatgjatë me të. Gola me shumicë, futboll shumë interesant, një lojtar në rritje vit pas viti, por i mungonte pjaca e duhur. I dha besim Laçi: 20 mijë euro Apolonisë, një biznes i mrekullueshëm për Pashk Laskën, që duket se është kthyer në një skaut, sepse pakkush i zbulon talentet si ai, shihni Gentian Selmanin. Tetë gola këtë sezon për Uzunin, pak a shumë si Abazaj te Luftëtari, por mediatikisht nuk ka qenë aq shumë në vëmendje. Luan si sulmues e si mesfushor, vrapon pa fund, teknikë e admirueshme: nëse nuk vlen për klubet e pasura shqiptare, atëherë vlen për ata që kanë sy. Tani Uzunin e duan në Turqi.

SYTË NË KUKËS – Sfida e nesërme për Kupën e Shqipërisë, mes Kuksit e Laçit, do të ketë vizitorë të veçantë. Në “Zeqir Ymeri” do të jenë të pranishëm disa vëzhgues turq, që do të shohin nga afër talentin e Laçit. Është ndeshja e duhur për të kuptuar cilësitë e tij, sepse nëse shkëlqen në një ndeshje aq të vështirë dhe në një fushë aq të keqe, imagjinoni ç’mund të bëjë në një skuadër cilësore, në terrene të shkëlqyera dhe me një punë edhe më të mirë fizikisht e faktikisht. I ri, me shumë gjasa edhe i lirë në çmim, sepse Laçi nuk është Skënderbeu dhe nuk është se kërkon “qiqra në hell”. Për kurbinasit edhe 200 mijë euro do të ishin një çmim fantastik, sa për të përmendur një shifër, por për klubet turq janë kacidhe.

 

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.