Uzuni në humor: Ismajli më ka frikë, nuk e ndjej lodhjen

Myrto Uzuni i ka shënuar në dy ndeshjet e mëparshme Hajdukut të Spliti dhe do dëshirojë t’i realizojë sërish të dielën. Periudha e fundit ka qenë e ngarkuar për beratasin, që numëron 7 ndeshje në katër javë. Gjithsesi ai nuk ndihet i lodhur. Anësori i kombëtares shqiptare flet për ndeshjen e radhës dhe e vlerëson maksimalisht kundërshtarin.

“Nuk ndihem aspak i lodhur për shkak të numrit të madh të ndeshjeve.  Po stërvitemi mirë dhe mjaft fort për një ndeshje shumë të rëndësishme si kjo me Hajdukun. Kundërshtari është shumë më mirë se më parë dhe janë jashtëzakonisht të fortë”, shprehet Uzuni për faqen zyrtare të klubit.

Ai flet më tej edhe për raportin me Ardian Ismajlin, teksa zbulon dhe telefonatën që ka pasur me të: “Jam në kontakt të vazhdueshëm me Ardian Ismajlin, i cili është pjesë e Hajdukut. Jemi miq të mirë, pasi luajmë së bashku ne kombëtaren e Shqipërisë. Ai nuk do të luajë kundër nesh të dielën për shkak të kartonëve të verdhë. E telefonova dje dhe i thashë që e kishte humbur këtë ndeshje qëllimisht, pasi kishte frikë të përballej me mua”, ka deklaruar me humor beratasi.

Në fund ai ka shprehur bindjen se Lokomotiva e Zagrebit do të marrë pjesë në kupat e Europës, por fillimisht duhet mundur Hajduku i Splitit. “Luajmë në shtëpi dhe duhet të fitojmë. Në fund do të jemi në Europë. I kemi cilësitë dhe mentalitetin e fituesit për t’ia dalë mbanë”, përfundon Uzuni..

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *