Uzuni me hapa gjigantë, flet ish-trajneri i tij Fatia: Leksion për Tomorin, nuk falen talentet!

0

Edi Spahiu

Myrto Uzuni deri në pranverën e vitit 2017 luante ende në Kategorinë e Parë dhe në gusht të atij viti la Apoloninë për Laçin.

Brenda një viti, sulmuesi nga Berati ka hedhur hapa gjigantë, duke u bërë një lojtar kyç te kurbinasit me golat dhe asistent e tij dhe duke firmosur këtë verë në Kroaci, për Lokomotivën e Zagrebit, ku menjëherë është shndërruar në lojtar me shumë rëndësi, sepse po luan titullar dhe ka gjetur edhe golin e parë kroat.

Është vetëm 22 vjeç, i dha 350 mijë euro Laçit dhe ndoshta më shumë në të ardhmen, në rast rishitjeje, një vlerësim i frikshëm, sepse vjet Laçi e pagoi vetëm 20 mijë euro tek Apolonia, që edhe njëherë tregoi se di të rritë talente, por edhe të përfitojë financiarisht, sepse në bazë të rregullores së UEFA-s merr taksë për formimin e lojtarit, ashtu si merr edhe klubi i tij i origjinës, Tomori.

Në fakt, Uzuni u poq në Fier, për dy sezone e gjysmë, por u rrit në Berat, siç tregon ish-trajneri i tij, Bledar Fatia, i cili punon prej shumë vitesh në ekipet zinxhir të Tomorit.

“Jam trajneri i parë i Uzunit dhe jam i lumtur për ecurinë e tij të shkëlqyer, sepse tregon që edhe unë kam bërë diçka të rëndësishme për të, duke parë rritjen e tij dhe duke ditur se një futbollist së pari formohet kur është ende fëmijë. Myrto ka ardhur tek unë që në moshën 6-vjeçare, sepse drejtoja U-17, por kisha paralel dhe dy ekipe fëmijësh. Fillimisht qëndroi 3 vite me mua dhe më pas iku me familjen në emigrim në Greqi, ku qëndroi 6 vite, për t’u rikthyer sërish tek unë në moshën 15 vjeç”, tregon Fatia, i cili flet për cilësitë e Uzunit që në moshë të re.

“Elementet e  para që spikatnin dhe konstatova tek Uzuni ishin shkathtësia dhe shpejtësia e lartë, shumë inteligjent dhe me teknikë të lartë, dhe pse futbollin e ushtronte në kushte të vështira, në rrugicat dhe oborrin e lagjes Uznovë në periferi të Beratit. Duke qenë një djalë që vinte nga një familje punëtore, realisht ishte shumë i dëgjueshëm dhe i edukuar dhe mua ma bënte akoma më të lehtë punën. E vendosa qysh në fillim mesfushor krahu dhe i sugjeroja, falë aftësive teknike dhe shënuese, që të avanconte përpara portës kundërshtare edhe si sulmues i fshehtë. Duke qenë i përqendruar dhe i vëmendshëm gjatë procesit stërvitor dhe në ndeshje, Uzuni fitoi dhe përvetësoi shumë shpejt edhe disiplinën taktike, çka ndodh shumë rrallë në fëmijët e sotëm”.

Fatia tregohet modest, kur bëhet fjalë për ndikimin e tij në formimin profesional të futbollistit të kombëtares sonë: “Këtë gjë është mirë ta thotë vetë Uzuni dhe familja e tij. Unë jam shumë krenar që Uzuni kaloi nga U17 direkt në ekipin e parë dhe kur kishte pushim kampionati luante ndonjë ndeshje plotësuese me U19”.
Fatia ka edhe një keqardhje: “Ky talent iu shit Apolonisë për 4 milionë lek të vjetra, ishte një dhuratë nga kryebashkiaku Nasufi për Koço Kokëdhimën. Ishte një krim sportiv, pasi një talent u dhurua dhe tani flitet sikur Uzuni është talent i prodhuar nga Apolonia. Në të vërtetë, është Tomori klubi që ka meritën dhe duhet të përfitojë edhe financiarisht nga transferimi i Uzunit në Kroaci, ndërkohë që me punë e kujdes lojtarë të tjerë të nivelit të tij mund të evidentohen në të ardhmen”.

You might also like

Leave A Reply

Your email address will not be published.

This site uses Akismet to reduce spam. Learn how your comment data is processed.