Uzuni: Luaj kudo për Shqipërinë, fitojmë po luajtëm si në Izrael!

Myrto Uzuni është ftuar sërish në kombëtare dhe beson se Shqipëria do të kthehet e fortë. Ai ka folur para ndeshjes me Skocinë, teksa është shprehur se nëse luajnë si me Izrealin, pa dyshim që do të fitojnë.

“Sulmi është në formë, ka shënuar edhe Grezda e Kaçe. Goli do vijë nëse vazhdojmë me ritmin që kishim në Izrael”, u shpreh fillimisht Uzuni. Më tej ai u pyet edhe si ndjehet që tani vëmendja është tek ai.

Përgjigja ishte modeste: “Normalisht që ndjehem mirë, vëmendja nuk është vetëm tek unë. Ne kemi grupin dhe është ai më i rëndësishmi. Grupi është ai që na bashkon ne. Luajtëm shumë mirë në Izrael, nuk na deshi fati. Me atë lojë dhe duke zbatuar detyrat e trajnerit, besoj se mund të fitojmë me Skocinë”.

Uzuni luan në krahët e sulmit, në majë dhe si sulmues i dytë. Gjithashtu te Lokomotiva Zagreb ka provuar të luajë edhe në treshen e qendrës së mesfushës. Ai është i gatshëm kudo që dëshiron Panuçi. “Pozicioni? Varet nga trajneri. Më rëndësi të ndihmoj skuadrën. Jam gati të luaj kudo që ka nevojë skuadra”.

Me Laçin ka shënuar në “Loro Boriçi” dhe sigurisht që është ndjerë mirë. Por të shënosh me Shqipërinë është tjetër emocion. “Është kënaqësi të shënosh për kombëtaren, pasi bën krenar atdheun dhe familjen. Do ishte diçka shumë e bukur”.

Beratasi ka një mesazh edhe për tifozët: “I bëj thirrje tifozëve të na mbështesin. Na duhet pak kohë dhe kombëtarja do rikthehet aty ku ka qenë”. Uzuni në fund thekson se të rinjtë që janë bashkuar me kombëtaren kanë marrë mbështetjen e duhur nga lojtarët e tjerë. “Fryma është e njëjtë. Lojtarët me eksperiencë na kanë mbështetur dhe jam ndjerë shumë mirë brenda grupit”, përfundoi Uzuni.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *