Urdhër i prerë i klubit italian: Foto me “tersin” Drake? Askush të mos guxojë

Para disa kohësh ishte Aron Ramsej, tani është Drake. Ishte një periudhë që sa herë që uellsiani i Arsenalit shënonte gol, një personazh me famë botërore vdiste. Tani nuk është aq tragjike!

Mjafton të dalësh në një foto me këngëtarin e njohur kanadez dhe ekipi yt do të humbasë ndeshjen e radhës. Një nga shakatë më virale, që po qarkullon masivisht në rrjetet sociale janë foto të ndryshme që bëjnë futbollistët me reperin e famshëm.

Obamejang ishte i pari që doli në foto me Drake. Të nesërmen, Arsenali u mposht 1-0 nga Evertoni. Më pas ishte radhe e fotos me Sergio Agueron. Pasojat u ndjenë te Mançester Siti, që humbi ndeshjen e parë çerekfinale përballë Totenhemit.

Sanço pati guximin për të bërë foto me këngëtarin dhe Dortmundi u shkatërrua nga Bajerni me rezultatin 5-0. Radhës iu bashku edhe Vilfrid Zaha, sulmuesi i Kristal Palas. Ekipi i tij humbi në shtëpi përballë Sitit të Guardiolës një ditë më vonë.

E fundit është foto me Kurzauën e PSG. Ekipi i Tuhel nuk ka rivalë në Francë, por Drake është ters. PSG jo vetëm që u mposht, por u turpërua nga Lila me rezultatin 5-1.

Klubi i Romës ka përfituar për të bërë pak humor në rrjetet sociale. Italianët kanë dhënë një urdhër të prerë për lojtarët e tyre: askush të mos guxojë të dalë në foto me Drake! Me situatën që është krijuar, jo vetëm lojtarët e Romës, por askush nuk do të bëjë foto me këngëtarin e njohur, të paktën derisa të thyhet “magjia”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *