“Unë jam torturuar për golat”, Edon Hasani thumbon rivalët

Edon Hasani e mbylli sezonin te Tirana me 12 gola, rekord për mesfushorin shkodran. Në emisionin Gol pas Goli në Supersport, ai tha: “Me thënë të drejtën bëmë detyrën, jemi Tirana. Si erdhën gjërat jam i kënaqur që shpëtuam dhe jemi në finale të Kupës. Kemi shumë mundësi të luajmë në Europë. Ky ishte një nga objektivat e klubit”.

Këpuca e Artë? Unë me atë timen e kam fituar, pasi jam torturuar për t’i bërë ato gola. E uroj Rexhinaldon. Kemi edhe një shans për të marrë hakun, në finalen e Kupës”.

E ARDHMJA – “Kam edhe një vit kontratë, jam i përqendruar këtu. Jam i lumtur që jam pjesë e kësaj familje. Falënderoj presidentin Halili që më hapi dyert për të qenë pjesë e këtij klubi të madh”, u shpreh Hasani, ndërkohë që gazetari Gjergji Stafa tha se për shkodranin ka një ofertë që shkon në 200 mijë euro dhe në klubin bardheblu po mendohen mirë.

KUPA – “Do japim maksimumin, nuk rikuperohemi plotësisht. Duhet të ndjekim të njëjtën recetë si në Laç. Po luajtëm ashtu, me atë grinte, ia dalim. Normal duhet të jemi me këmbë në tokë, Kukësi ka më shumë cilësi. Unë kam besim se mund t’ia dalim”.

TIFOZËT – “Kam tentuar disa herë, duke festuar golat aty, që të pajtohemi. Edhe ata kanë njëfarë të drejte, Tirana nuk është aty ku i takon. Ne do bëjmë pjesën tonë, pasi ata na kanë mbështetur kudo. U bëjmë thirrje të jenë në finalen e Kupës për fanellën dhe për këtë klub”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *