“Ultrasi” Bonolis ëndërron dyshen Mesi-Kante, “Perishiç 70 milionë? Ua çoj me makinën time!”

Paolo Bonolis është një nga tifozët më të zjarrtë të Interit. Në një prononcim për “RMC Sport”, legjenda e televizionit italian flet për të gjithë: Interin e tij, trajnerin Spaleti, Perishiç, Leo Mesin, Kristiano Ronaldon dhe lojtarin që do dëshironte të shihte me ngjyrat zikaltër…Gara për titull është e fortë dhe Bonolis përjashton “kushërinjtë” e Milanit.

“Titulli do të luhet midis Juventusit, Interit, Romës, Napolit dhe Lacios. Këto skuadra janë përforcuar shumë, por gara do të jetë ajo e viteve të fundit. Juventus është favorit dhe të tjerat e ndjekin nga pas për ta rrëzuar nga froni. Merkato e Interit po tregon që do të kemi një ekip më të fortë se sa ishte. Kemi fituar një mesfushor në fundin e sezonit si Brozoviç. Sa i përket Vidalit, nuk mendoj se do të sillte ndonjë ndryshim në ekip.”

“Spaletin e njoh nga afër dhe mund t’ju them që nëse nuk është i shqetësuar, ai kalon një ditë të keqe. Natyra e tij ka nevojë për “armiq”, kundërshtar dhe probleme për t’u zgjidhur. Ai është gjithmonë gati për të zgjidhur problemet e futbollit, por edhe të jetës. Ky është Spaleti.”

Perishiç? Nuk e di nëse do të qëndroje me ne, por përballë një oferte prej 70 milionë eurosh, do e çoja me makinën time drejt Mançesterit. Aq para për një 29-vjeçar nuk mund të refuzohen. Bastin tim në Botëror e kisha vendosur për Kroacinë. Bëj shaka, kisha vendosur që do dilnin në finale. Treguan që janë një skuadër e fortë që prodhoi më shumë se sa realizoi. Nuk kanë sulmues të frikshëm, por një mesfushë të përjetshme.”

Në fund, Bonolis komenton afrimin e Ronaldos te Juventus dhe jep idenë e tij se çfarë duhet të bëjë Inter.

“Është tërheqëse ta shohësh Kristianon në Torino, një futbollist i rëndësishëm që ka shkruar faqe të paharrueshme të futbollit. Ronaldo është një atlet i shkëlqyer, pavarësisht 33 viteve mbi supe. Në këtë pikë shpresoj që vitin e ardhshëm, Mesi të vijë të Inter.

Dëshira ime më e madhe? Do të dëshiroja të shihja Ngolo Kante me ngjyrat zikaltër: një futbollist i mrekullueshëm.”

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *