Ujkani: Kemi trajner ekspert te Kosova, Muriqi më bindi të firmos

Kosova është një realitet i ri në futbollin evropian. Ëndrra e madhe është Europiani i vitit 2020 dhe më këtë synim është punuar këto vite, sikurse edhe është shprehur kapiteni Samir Ujkani në një lidhje direkte me emisionin “Zona Gol” në Supersport.

Ai flet për shumë çështje të tjera që lidhen me Kosovën, euforinë që mund t’i dëmtojë, apo për rivalin e mundshëm nëse e mbyllin në vendin e parë në grup. Sigurisht flet edhe për rolin e tij si kapiten dhe për transferimin në Turqi te Rizespor.

NDRYSHIMI I KOSOVËS – “Kur u krijua Kosova, ideja ishte me rrit talentet e reja dhe të arrijmë të kemi një ekip të fortë në vitin 2020. Në fillim vështirësitë ishin shumë të mëdha. Eliminatoret e Botërorit 2016 dhe Liga e Kombeve na kanë ndihmuar për të fituar eksperiencë dhe për të qenë gati. Tani kemi dhe një trajner ekspert që di t’u marrë më të mirën të gjithë futbollistëve”.

EUFORIA – “Janë të gjithë djem seriozë që vinë nga familje që i mbajnë me këmbë në tokë, nuk besoj se euforia në skuadër do na prishë punë. Lojtarët janë entuziastë, por e dinë që duhet të vazhdojnë kështu”.

Rivali i dëshiruar në play-off? Mendoj që kundërshtari më i fortë është Maqedonia, pasi ka lojtarë të nivelit shumë të lartë. Por fillimisht duhet të përqendrohemi te grupi jonë, pasi kemi dy ndeshje shumë të vështira në vazhdim”.

ROLI I LIDERIT – “Unë mendoj se është më mirë që një skuadër të funksionojë si grup. Që skuadra të ketë një lider, është një gjë shumë pozitive, por lideri është si të gjithë lojtarët e tjerë, pasi ka raste kur zërin në ekip nuk e ngre vetëm kapiteni. Gjithsesi një kapiten është i mirë për të vendosur balancat në skuadër”.

TRANSFERIMI NË TURQI – “Rize është një qytet i bukur, i vogël, me det, por edhe me mal. Është një qytet familjar. Më mungon Italia dhe akoma më shumë Palermo, që është një ishull fantastik. E zgjodha Turqinë edhe për çështje familjare, doja të ndryshoja ambient dhe ndaj zgjodha Turqinë. Kampionati turk është shumë i ndryshëm nga ai italian nga ana taktike. Në zgjedhjen time ndikoi edhe Vedat Murqi, i cili më foli mirë për klubin e Rizespor. Kemi një ndeshje shumë të fortë ndaj Bursaspor dhe pritet që unë të luaj titullar, pasi në ndeshjet e para kam qëndruar në stol  për shkak edhe se nuk isha ambientuar siç duhet”.

Bunjaki trajner? Ndaj Bursasporit do kemi në stol trajnerin e skuadrës së të rinjve. Pastaj të shohim se çfarë do të ndodhë, gjithçka është në dorë të drejtuesve të klubit. Nëse do të marrin Bunjakin, unë do të isha shumë i kënaqur, pasi do të punoja me një trajner që e njoh shumë mirë”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *