Ujkani entuziast: Kosova dhe Shqipëria drejt një ëndrre

Kapiteni i Kosovës, Samir Ujkani analizoi në emisionin “Zona Gol” në “SuperSport”, shortin kualifikues të Euro 2020. Portieri e pranon se tashmë niveli është më i lart se Liga e Kombeve, por beson te shanset (edhe pse të pakta) të përfaqësueses më të re në kontinent dhe mendon që ndeshja e fundit, në shtëpi me Anglinë, do të jetë një festë e vërtetë.

“Është një grup mjaft interesant. Ne cilësohemi si ekipi më i dobët në grup, sepse jemi skuadra më e re. Derbit me Bullgarinë dhe malin e Zi janë mjaft interesantë. Qëllimi ynë është të konkurrojmë me ekipet që janë më lart se ne dhe të rrisim nivelin e skuadrës. Jemi në moment shumë të mirë, por duhet të kemi kujdes nga euforia”.

“Kosova mund të vazhdojë këtë formë pozitive, por duhet të kemi të qartë që tashmë niveli është shumë, shumë më i lartë. Starti i kualifikueseve? Është mjaft pozitiv. Ndeshja e parë në Kosovë është shumë e rëndësishme, sepse do të kemi përkrahjen e publikut. Kjo do të jetë arma jonë kryesore për të arritur rezultat pozitiv. Nisja është shumë e rëndësishme, ndërsa në ndeshjen e fundit me Anglinë, shpresojmë të jetë një festë e madhe për Kosovën”.

“Kualifikueset në Kupën e Botës ndaj Kroacisë dhe ekipeve të tjera të mëdha na kanë dhënë eksperiencë, ndërsa Liga e Europës na ka dhënë pozitivitetin, pas ecurisë së mirë. Tashmë do të jemi gati për tu përballur me skuadra që kanë nivel më të lartë se ne. Festa me Anglinë? Do të jetë ekipi më i madh që ka ardhur ndonjëherë në Kosovë dhe do të jetë reklamë e mirë. Shpresojmë të arrijmë sa më lartë për të gëzuar popullin kosovar dhe të shfrytëzojmë ato pak shanse që kemi për tu kualifikuar”.

“Shorti i Shqipërisë? Do ta ketë pak më të vështirë, sepse Islanda dhe Turqia janë kundërshtarë më të fortë. Besoj se Shqipëria mund të konkurrojë me këto ekipe, por kur tifozët presin sukses të madh, presioni rritet dhe duhet të bësh kujdes maksimal. Shpresoj që si Shqipëria dhe Kosova të kenë sukses dhe të kualifikohen. Të jenë të dyja bashkë në Euro 2020 do të ishte një ëndërr për të gjithë shqiptarët”.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *